Të gjitha ndërtimet pa leje që i përfshin “Projekti i Rindërtimit” do të shpërblehen 100% në metra katrorë tek objektet e reja për banim. Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj sqaron për Televizionin Klan, se ky vendim i marrë këtë të mërkurë nga Këshilli i Ministrave, i jep zgjidhje kujtdo që ndodhej në një proces legalizimi.
“Në momentit që ka dalë projekti janë pezulluar që të gjitha legalizimet, në këtë mënyrë mund të jetë penalizuar dikush që i ka futur dokumentet. Nëse kemi një shtëpi të palegalizuar brenda PDV, pra planit të detyruar vendor për zhvillim, kjo shtëpi prej 100 metrash në momentin që do të shembej do të merrte mbrapsht vetëm 50 metra, ndërkohë që Këshilli i Ministrave vendosi që këto familje të përfitojnë 100% të metrave katrorë që kanë sot”.
Ahmetaj përsëriti premtimin se deri në Maj të vitit 2022 do të përfundojë plotësisht rindërtimi në të gjitha programet.
“Referuar të gjitha afateve kontraktuale në pranverën 2022 nuk do të ketë më asnjë shenjë nga tërmeti në të gjitha programet. Deri në fund të këtij muaji do të ketë rreth 1500 banesa të përfunduar. Jemi duke punuar për përfundimin e pallateve. Kemi programet e granteve për dëmet e lehta deri të mesme që janë shpërndare gati 130 milionë dollarë”.
Ministri Ahmetaj komentoi edhe listat e kandidateve për deputetë, pa i kursyer thumbimet për opozitën. Pozicionimin e tij në vendin e 5-të për qarkun e Tiranës e quan përgjegjësi.
“Numri 5 për mua është përgjegjësi, në finale listat do të jenë të hapura, nuk ka rëndësi në çfarë pozicioni je. Lista e PS, një listë dinjitoze për Shqipërinë e së ardhmes dhe nga ana tjetër një konglomerat interesash të vjetra dhe të reja në funksion të dëshirës të hapur vetëm për të marrë pushtet për interesat e tyre”.
Ministri Arben Ahmetaj shtoi se vazhdon puna për ndërtimin e 160 shkollave të dëmtuara nga tërmeti.