Në Alaskë është mbyllur takimi i parë i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve të lartë kinezë dhe amerikanë.
Dialogu 2-ditor shënon kontaktin e parë të nivelit të lartë mes dy vendeve pasi krerët e tyre të shtetit zhvilluan një bisedë telefonike në prag të Vitit të Ri Kinez.
Në një konferencë shtypi më pas, diplomati i lartë kinez Yang Jiechi tha se bisedimet mes Kinës e ShBA-së ishin të sinqerta, konstruktive e të dobishme, por shtoi se natyrisht, ka edhe dallime mes të dy palëve.
“Erdhëm në takim me shpresën që të dyja palët do të forcojnë komunikimin dhe dialogun në fusha të ndryshme. Të dy palët duhet të ndjekin politikën e ‘jokonfliktualitetit’ për të ecur përpara në një drejtim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm,” u shpreh ai.
Këshilltari i shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha se delegacioni kinez erdhi në Alaskë me sinqeritet të fortë. Dialogu është më i mirë se ballafaqimi, u shpreh ai, duke shtuar se Kina bëri të qartë se sovraniteti është një çështje parimore .
Sipas deklaratës së delegacionit kinez, Kina vuri në dukje se nuk dëshiron të ndërhyjë në sistemin politik amerikan ose të sfidojë e të zëvendësojë pozitën e ShBA-së dhe ndikimin e saj. Kina i bëri thirrje palës amerikane që të shikojë si duhet sistemin politik kinez, rrugën e zhvillimit, strategjitë kombëtare dhe ndikimin e Kinës në tërë botën.
Kina ritheksoi se nuk ekziston asnjë kompromis për çështjen e Tajvanit, duke e quajtur si një interes thelbësor dhe një çështje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.
Zyrtarët kinezë e nxitën palën amerikane që të respektojë parimin e “Një Kine” e tre komunikatat e përbashkëta dhe të ndalojë shkëmbimet zyrtare dhe kontaktet ushtarake të çdo forme me Tajvanin.
Duke folur për vendimin e fundit të organit më të lartë ligjvënës të Kinës, Asamblesë Kombëtare Popullore, për përmirësimin e sistemit zgjedhor në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të Kinës, zyrtarët thanë se ShBA-ja duhet të respektojë vendimin dhe zbatojë të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Lidhur me Xinjiangun delegacioni tha se dera e Xinjiang-ut është e hapur për botën dhe se pala kineze është e gatshme që të kryejë shkëmbime me palën amerikane në bazë të respektit të ndërsjellë.
Nga ana e tij ,Sekretari i Shtetit Antony Blinken u tha gazetarëve se pala amerikane e di se ekzistojnë një numër fushash ku Kina dhe ShBA-ja mund të kenë mosmarrëveshje, por të dy palët patën edhe një diskutim shumë të sinqertë mbi fushat me interes të përbashkët.
Blinken u shpreh se të dyja palët punuan në një agjendë të gjerë mbi Iranin, Afganistanin, Korenë e Veriut dhe ndryshimin e klimës. “Ne donim të parashtronim politikat, përparësitë dhe pikëpamjet tona dhe e bëmë këtë,” tha kryediplomati amerikan.