Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Kukësi se “kjo dekadë do të jetë dekada e shqiptarëve pa diskutim”.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të deputetëve të qarkut të Kukësit Kryeministri Rama tha se “për hir të vërtetës më vjen mirë që ky moment i fillimit të vaksinimit edhe për bluzat e bardha të Kosovës koincidoi rastësisht, por siç thotë Hegeli “Rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën””.

“Me publikimin dje të një harte leshi nga Presidenti i Serbisë, i cili është edhe për të qarë e për të qeshur se si u rikthehet herë pas here provokimeve të kësaj natyre që tregojnë herë pas here një ngërç të madh që është ngërç i Serbisë jo i yni”, – theksoi Rama.

Duke folur për vaksinat Rama tha se “ne ia kemi dalë ta çajmë rrethimin sepse vërtet rrethim pamundësie ishte duke nënshkruar drejtpërdrejt një kontratë me kompaninë Pfizer dhe njëkohësisht duke pasur në dispozicion jo vetëm Phizer, por edhe AstraZeneca me të cilën kemi filluar edhe vaksinim intensiv të mësuesve dhe pedagogëve”.

“Deri dje kanë qenë afro 42 mijë të vaksinuar do vazhdojmë edhe me më shumë intensitet. Kemi në proces një tjetër marrëveshje për një sasi të konsiderueshme vaksinash që do të na japin mundësinë që ta rrisim edhe më tutje ritmin pasi nuk është ritmi i dëshiruar dhe i nevojshëm për të realizuar ambicien që sezoni i ardhshëm turistik të jetë i lehtësuar nga barra e rëndë e pranisë së këtij armiku të padukshëm që në këtë fazë finale kemi nisur ta zbrapsim pak e nga pak”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “drita në fund të tunelit të gjatë ku hymë së bashku me gjithë botën një vit me parë ka filluar të duket. Jemi shumë të vendosur të dalim nga ky tunel një orë e më parë dhe do të dalim pa diskutim në të njëjtën kohë me shumë vende të BE-së edhe pse u lamë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave qysh në krye të herës”.