Nga Alba Malltezi/ Për shkak të pandemisë dhe detyrimeve familjare, puna ime në këto kohë është kryesisht smart working.

Nga shtëpia. Prindërit janë të apasionuar pas RAI-t, televizionit italian dhe herë në mëngjes, herë në drekë, e herë në darkë më takon të shoh emisione me ta. Edhe në fundjavë, kur nuk mund të dalim dot si më parë.

Si në fëmijëri, po zbuloj një mrekulli. Një armatë të tërë gazetarësh, artistësh, profesionistësh që nga mëngjesi në darkë, punojnë si bletë për të përmirësuar, shërbyer, argëtuar në mënyrë pozitive dhe të shëndetshme publikun, të ndërgjegjshëm se nga ana tjetër e ekranit janë bashkëqytetarë që po kalojnë ditë të vështira pandemie.

Dhë në programacionet shumëngjyrëshe, të një kulture të zgjedhur, jemi pjesë dhe ne shqiptarët: Në Sanremon që sapo përfundoi flitej papushim për Ermal Metën, ndërsa sot, e diel paradite, shfaqen dëshmi, fakte, rrëfime për një tjetër shqiptare hyjnore: Nënë Terezën e më pas, në emisionin EstOvest, italiania Maria Chiara Petrone, flet për lehtësimin e investimeve në Shqipëri, për shkak të taksave të favorshme. Intervista e ilustruar me pamje fantastike nga Tirana. Emocionuese.

Me përzgjedhjen e fjalëve, tonin e duhur të zërit, përkushtimin për artin, natyrën, kulturën dhe shërbimet sociale, RAI vazhdon të jetë një dritare shumëngjyrëshe, si ajo që na bënte të ëndërronim në kohë diktature.

Më vjen keq që të rinjtë e sotëm në Shqipëri, shtëpiaket, intelektualët, edhe pse jo më ne zinxhirët e diktaturës, kanë humbur përqëndrimin dhe vëmendjen ndaj Italisë, ndaj kulturës, artit e spektaklit që ndikoi breza të tërë shqiptarësh, këtij fqinji të rafinuar, zemërgjerë e unik në botën e zhvilluar dhe kulturuar.

Pa i hequr asgjë popujve të tjerë fantastikë të Europës dhe botës, por miqtë e Italisë, në momente të vështira na morën ashtu, sic Nënë Tereza merrte fëmijët e rrugës: të uritur, të palarë, të paqethur, na ushqyen, na veshën e na hapën rrugën e dyert, ku sot qindra mijëra prej nesh kanë krijuar realitetet e tyre më shumë se dinjitoze.

Kujtoj veten time, kur dëgjoja Radio RAI-n dhe emisionet e kritikut Aldo Grasso apo të gazetarit Enzo Biagi-t dhe letrën që i nisa, me siguri kurrë e mbërritur: I shkruaja sa shumë më pëlqente italishtja dhe se doja ta studioja. Në fakt është ajo që bëra në jetë, e që më lejoi të njoh, përvec kulturës së lashtë të vendit tim, edhe këtë të mrekullueshmen italiane. Kushedi sa qetësi, butësi e bukuri, do të na rikthehej, të ndiqnim si dikur, edhe televizionet italiane.