Ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maître nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit në fushën e Pronësisë Industriale, në mbështetje dhe zbatim të Marrëveshjes Kuadër midis Këshillit Federal Zviceran dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim Teknik, Financiar dhe Humanitar. Ministrja Denaj e vlerësoi këtë marrëveshje, e cila është e një rëndësie të veçantë për etapën që po kalon Shqipëria në procesin e integrimit evropian. “Disa nga rezultatet që pritet të arrihen nga kjo marrëveshje, janë shkëmbimi i informacionit mbi legjislacionin në fushën e Pronësisë Industriale (PI) dhe reflektimet për përmirësimin e tij, si dhe bashkëpunim në programet e trajnimit lidhur me Pronësinë Industriale. Gjithashtu, pritet të arrihet bashkëpunim në fushën e përpunimit të informacionit të patentave dhe shërbimeve për publikun dhe forcimi i bashkëpunimit ndër-institucional në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Shqipëri”, theksoi Denaj.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje do të arrihet realizimi i një projekti 4 vjeçar midis dy zyrave homologe në fushën e pronësisë intelektuale. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes janë Instituti Federal i Zvicrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, në rolin e përfituesit kryesor të projektit. Vlerësojmë përkrahjen, shtoi ministrja, për reforma të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social kulturor të vendit tonë. “Më lejoni që në emër të qeverisë shqiptare t`ju falënderoj për vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë deri tani për vendin tonë. Vlerësojmë përkrahjen për reforma të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe social kulturor të vendit tonë”, përfundoi Denaj.
Kjo marrëveshje, jo vetëm që ka një ndikim mjaft pozitiv në klimën e promovimit të pronës intelektuale në tërësi, por edhe në ndërgjegjësimin për fushën, duke kontribuar në këtë mënyrë në zhvillimin ekonomik të vendit. Gjatë viteve të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale përmes objektivave të saj po punon maksimalisht për të krijuar një kulturë të përgjithshme të të kuptuarit të pronësisë industriale, përmes fushatave të ndryshme për rritjen e ndërgjegjësimit dhe të informimit mbi këto të drejta në mbarë vendin. Aktualisht ka filluar procesi i hartimit të Strategjisë së re Kombëtare në fushën e Pronësisë Intelektuale për vitet 2021-2025, një dokument strategjik shumë i rëndësishëm për fushën, e cila po mbështetet nga asistenca teknike e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale.