Ilir Meta dhe Sali Berisha prej disa vitesh kanë vendosur që të mbyllin gojën për akuzat e llahtarshme që kanë bërë në drejtim të njëri-tjetrit, duke u afruar bashkë në një front kundër të gjithëve. Edhe pse e kaluara e tyre është dominuar me disa përballje të forta, veçanarisht që pas miratimit të reformës në drejtësi, dy politikanët kanë vendosur që të bëhen bashkë dhe të mos flasin për “të dhënat” që dinë për njëri-tjetrin.
Përplasja e fortë e fundit mes tyre është zhvilluar në vitin 2015, kur Ilir Meta ishte kryetar Parlamenti dhe në qeveri me kryeministrin Edi Rama.
Pas katër vitesh në koalicion me PD-në, kulmi i thyerjes mes tyre ndodhi në mars 2015 ku Berisha e akuzonte Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve, ndërsa Meta, nën trysninë e akuzave tronditëse, shantazhoi Berishën duke dhëna detaje mbi një video komprometuese të Shkëlzenit, djalit të ish-kryeministrit. Në një seancë parlamentare të dominuar nga kaosi, Berisha i kërkoi Metës të japte dorëheqjen duke e quajtur “kokë e qelbur” dhe të “lidhur me kr imin”.
Pas shpërthimit në akuza të ish-kryeministrit, i cili kishte bllokuar foltoren, Ilir Meta kaloi në mbrojtje dhe fillimisht kërkoi “që doktorit t’i jepeshin ilaçet”.
Ndërsa debati ndizej dhe akuzat zgjeroheshin, ish-kryeparlamentari i asaj kohe futi në lojë edhe djalin e Sali Berishës, Shkëlzenin, për të cilin tha se e kishte dhënë njëherë dorëheqjen në vitin 2011. Meta foli për një video të papublikuar, ku Shkëlzen Berisha ishte në filmimet e Dritan Priftit, një ‘bombë’ që tronditi ish-kryeministrin.
Meta i kujtoi në sallë Berishës, bisedën që ata kishin bërë për Shkëlzen Berishën, ku ish-kryeministri i ishte ankuar duke thënë për të birin “shiko se çfarë më ka bërë ky budallai”.
“E kam dhënë dorëheqjen njëherë për Zenin, nuk është faji im që të kërcënon Dritan Prifti me video për Zenin . Ti e di mirë Doktor që Shkëlzeni ka qenë tek videoja e Priftit, ti e di shumë mirë. Ti vetë më the, shiko se çfarë më ka bërë ky budallai. Vetë më ke thënë. Vazhdo merr akoma mend nga Shkëlzeni, çfarë të bëj unë ty.”, deklaronte Meta në mars 2015.
Por ndërsa Meta vijoi të japë detaje për skandalin e Shkëlzen Berishës, ish-kryeministri “u mek” në foltore dhe ndali sulmin ndaj kryeparlamentarit. Kaq mjaftoi që Berisha të qetësohej dhe ta mbyllnin këtë temë, duke lënë të pasqaruar videon për të cilën bëhet fjalë.
Sot natyrisht ata janë sërish bashkë, kundër qeverisë dhe shpesh herë edhe ndërkombëtarëve, duke mos folur më për akuzat që kanë artikuluar publikisht ndaj njëri-tjetrit. Ish-kryeministri që dikur kërkonte dorëheqjen e Metës, sot është kthyer në “pikën e dobët” të presidentit. Dhe siç duket ka një pikë të dobët mes tyre, Shkëlzeni dhe video e famshme e tij, përveç frikës nga reforma në drejtësi, kuptohet.