Qytetarët e Durrësit i vunë notë punës së qeverisë për tërmetin në sondazhin zgjedhor të Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB.

Në rezultat e publikuara shihet se 60.6% e të anketuarve dhanë një vlerësim pozitiv për qeverinë socialiste në mënyrën si menaxhoi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa 39.4% e tyre negativisht.

Ndonëse shumica e qytetarëve ishin të kënaqur me mënyrën e adresimit të pasojave, vetëm 16.9% e tyre u përgjigjën se puna ishte “shumë pozitive”, ndërsa të tjerët u përgjigjën disi pozitive.

Lidhur me masat e marra nga qeveria për strehimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti i nëntorit, mbizotëron një vlerësim pozitiv (64.5%), përkundrejt atij negativ (35.5%).

Nga ana tjetër sondazhi zbuloi edhe vlerësimin e qytetarëve të Durrësit për përpjekjet që ka bërë Partia Demokratike sa i takon pasojave të tërmetit.

43.9% e tyre vlerësuan pozitivisht punën e PD-së ndërsa 53.7% e tyre e vlerësuan negativisht. Sipas të dhënave 38.7% e personave të pyetur në rang kombëtar u përgjigjën se puna e PD-së ka qenë pozitive ndërsa 56% e tyre dhanë një vlerësim negativ.

Metodologjia: Sondazhi u shtri në zonat urbane dhe rurale të qarkut të Durrësit ku u realizuan 660 intervista ballë për ballë gjatë periudhës 7-17 mars.