Çorientimi, konfuzioni, vështirësia në përqendrim dhe ngadalësia njohëse janë simptomat e të ashtuquajturës mjegull mendore, humbja e përkohshme e kthjelltësisë që duket se prek disa nga njerëzit e infektuar me Covid, pa marrë parasysh nëse kanë simptoma të rënda apo jo. Shkaqet e këtij çrregullimi të vërejtur në të gjitha moshat, i cili nganjëherë zgjidhet pas disa muajsh shërimi nga koronavirusi, janë diskutuar prej kohësh, por tani një studim që ka vëzhguar nga afër trurin e atyre që kanë humbur jetën nga Covid-19 ofron një shpjegim të arsyeshëm.

Teoria më e pranueshme thotë që në origjinë të mjegullës njohëse nga Covidi ekziston një përgjigje imune ndaj sulmit të koronavirusit dhe inflamacionit pasues të indeve. Deri më tani, autopsitë e kryera mbi viktimat e infeksionit nuk kanë treguar shenja të inflamacionit, ose ndryshime që i atribuohen një infeksioni viral të vazhdueshëm.

Për ta parë më qartë, studiuesit nga Universiteti Johns Hopkins dhe Brigham and Women’s Hospital në Boston analizuan një pjesë të cipës cerebrale të 15 pacientëve që vdiqën nga Covid-19, të cilët gjithashtu kishin simptoma neurologjike. Në pesë nga këta pacientë, analizat mikroskopike të kapilarëve të lëvores së trurit, domethënë në rrjetin e dendur të enëve të holla të gjakut, zbuluan disa bërthama të qelizave jashtëzakonisht të mëdha. Struktura e këtyre bërthamave, sipas shkencëtarëve, është në përputhje me atë të megakariociteve, qelizave të mëdha të palcës së kockave, të cilat kur copëtohen, lindin trombocitet e nevojshme për mpiksjen e gjakut.

Sipas studimit të botuar në “JAMA Neurology”, ato megakariocite ishin në vendin e gabuar. Prania e tyre nuk ishte dokumentuar kurrë më parë në kapilarët e lëvores së trurit, dhe autopsitë e kryera në dy persona që nuk kishin vdekur nga Covid, nuk treguan gjurmë të këtyre qelizave në tru. Duke i gjetur ato vetëm në 5 nga 15 pacientë mund të jetë për shkak të sasisë së vogël të indeve të analizuara zakonisht në provimet e autopsisë. Në trurin e pacientëve kovidë që ankohen për çrregullime neurologjike, megakariocitet mund të jenë më të përhapura sesa mendohet. Sidoqoftë, mostra e pacientëve është mjaft e vogël dhe këto hipoteza fillestare do të mbështeten nga studime të tjera.

Por si arritën ato qeliza në tru? “Ne dyshojmë se SARS-CoV-2 dëmton indet e mushkërive, duke çuar në lëshimin e sinjaleve kimike që bëjnë që megakariocitet të udhëtojnë atje nga palca e kockave”, shpjegojnë autorët.

“Kur kjo të ndodhë, këto qeliza të mëdha disi e gjejnë rrugën e tyre përmes kapilarëve pulmonarë dhe në tru”.

Është ende e paqartë nëse qelizat arrijnë lëvoren thjesht përmes qarkullimit të gjakut, pasivisht, ose nëse ndryshimet specifike të indeve për shkak të Covid-19 lejojnë kapilarët e trurit t’i kapin ato më lehtë.