Një dozë e vaksinave Pfizer/BioNtech dhe AstraZeneca mund të reduktojë deri në 80% nevojën e shtrimit në spital në rast infektimi me COVID pas marrjes së saj. Kjo përqindje pozitive tepër e lartë vlen kryesisht për moshat mbi 80-vjeç.
Në këtë përfundim është arritur në një studim të kryer nga ekspertët e shëndetit publik në rajonin e Anglisë, të cilët u referohen të dhënave më të fundit të shtrimeve në spitale. Këto të dhëna tregojnë se javët e fundit, numri i të shtruarve me COVID-19, të moshave mbi 80-vjeç ka rënë në mënyrë drastike në numra një-shifrorë.
Kjo kategori është e para që u vaksinua në Britaninë e Madhe, krahas mjekëve dhe grupeve të tjera më të rrezikuara nga infektimi. Me përparimin e procesit të vaksinimit, pritet të përcaktohet e njëjta përqindje edhe për moshat nën 80-vjeç. Marrja e dozës së dytë, sipas studimit, e konsolidon imunitetin dhe shton mbrojtjen ndaj infektimit.
Në fundjavë, Agjencia amerikane e barnave FDA njoftoi se provat klinike kishin treguar se vaksina njëdozëshe Johnson&Johnson reduktonte deri në 85% rrezikun e një infeksioni të rëndë me koronavirus.