Në një vjetorin e nisjes së pandemisë në vendin tonë zëvendësministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini deklaroi se koronavirusi Covid-19 doli përtej parashikimeve krahasuar me pandemitë në vite. E ftuar ën Ditari në A2, Tomini theksoi se tashmë jemi në një përballje më të sigurt me virusin, por sipas saj trajtimi dhe vaksinimi përmbyllin transmetimin “Po të flisnim si sot një vit më parë do ishim para një situate me shumë të panjohura, rezistencën e virusit në mjedis e objekte dhe ecurinë e pandemisë. Covid-19 doli përtej parashikimeve përtej një viti sikurse pandemitë e tjera përgjatë viteve. Jemi në përballje më të sigurt, tablo klinike të konsoliduar dhe me hetimin e rasteve. Protokolli i trajtimit dhe vaksinimi janë të rëndësishëm për të përmbyllur transmetimin përmes spërklave. Hetimi epidemiologjik është ndër hallkat kryesore, pastaj diagnoza laboratorike. Gjithnjë testojmë për shumë që të mos kemi klinika të rënda”.
Sikurse kryeministri Rama dhe Tomini thotë se një ndër armët më të fuqishme për të luftuar virusin është vaksinimi i popullsisë, ku synohet 70% në rang kombëtar. Sipas saj tremujori i parë i vitit 2022 do të përcaktojë fundin e pandemisë. “Një ndër armët e fuqishme është vaksinimi që nuk do bëjë çudira, por do ulë raste të rënda të sëmundjes dhe ky është një objektiv që po luftojmë fort dhe për të arritur imunitetin e tufës në 70% të rang kombëtar. Janë konkluzione përkundër një beteje që duhet të vazhdojë edhe këtë vit. Tremujori i 2022 do të përcaktojë dhe fundin e kësaj pandemie, pasi ecuria e virusit ka pasur oshilacionet e veta. Shëndetësia shqiptare u përball me këtë luftë pa kaluar në kolaps, atë që pamë edhe në botë që kanë struktura më të fuqishme se ne. Objektivi ynë ka qenë që hallkat e sistemit të funksiononin si një e tërë”.
Sa i takon numrit R, Tomini thotë është nën 1 në nivel global, por kjo sipas saj ndryshon në varësi të testimeve dhe rasteve pozitive. “Rënia ndryshon në varësi të testimeve. Ne kemi R 0.99, por luhatet kundrejt ditëve. Në nivel global R ndryshon në sipërfaqe e mjedise të ndryshme dhe karakteristikave demografike në popullata të ndryshme dhe sjelljes fiziologjike të virusit. R në nivel global është nën 1 por në shtet të caktuara tendenca e R është më lartë në vendet e tjera. Ka lidhje direkte me numrin e testimeve dhe rasteve pozitive ditore”.
Covid-19 nuk ka reaguar si viruset e tjerë respiratorë, thekson, Tomini, e cila shton se ky virus ka ndryshuar nivelin e transmetueshmërisë dhe agresivitet. “Duhet të theksohet që Covid nuk ka reaguar si viruset e tjerë respiratorë, por ka treguar të kundërtën ka qëndruar prezent gjatë gjithë vitit dhe ka ndryshuar nivelin e transmetueshmërisë dhe agresivitet. Ka treguar një përshtatje ndryshe nga viruset respiratorë. Mutacionet do përshaten përkundrejt fillesës së tij, duke treguar afinitet dhe agresivitet ndaj individëve dhe rasteve klinike. Klinika ka qenë e qëndrueshme dhe me të njëjtën klinikë janë paraqitur disa nga mutacionet deri tani. Deri sa nuk kemi një kornizë të virusit mëmë. Duhet të kemi studime të mëtejshme”.
Sa i takon masave anticovid ajo përsëriti të njëjtin qëndrim, se ato varen në bazë të indikatorëve që janë pozitiviteti i rasteve, shtrimi në spital dhe viktimat. “Deri në këto momete komiteti i ekspertëve vlerëson situatën. Raste që kanë kërkuar hospitalizim janë 79 % e shtretërve të ezauruar, terapia terapia intensive 34% e ezauruar, prandaj Komiteti i Ekspertëve po vlerëson situatën dhe nuk ka ndryshime sa i takon masave shtrënguese deri më tani. Pozitiviteti, shtrimet dhe terapia intensive dhe vdekjet janë 3 indikatorë që monitorohen në mënyrë sistematike, duke u krahasuar me dy javët pararendëse. Ka qenë një ritmikë e daljeve dhe prononcimeve dhe do merren në konsideratë rekomandimet”.
E pyetur në lidhje me optimizmin për muajt e verës, ku kreu i qeverisë tha se do të shpëtojmë turizmin, Tomini tha se vaksinimi masiv është synimi kryesor i kreut të qeverisë. “Vaksinimi është një ndër arritjet botërore dhe Shqipërisë dhe qeveria ka arritur kanalizime me firma distributore dhe besojmë fort që përmes synimit dhe arritjes së objektivit të popullatës për 14 muaj dhe thënia e kryeministrit dhe angazhimi i tij personal është synimi i tij kryesor dhe shpresojmë që vera të jetë ndryshe nga vera që lamë pas”.
Tomini sqaroi gjithashtu se nuk ka pasur refuzime nga personeli shëndetësor për bërjen e vaksinës, por vetëm shtyrje në kohë të atyre që e kanë kaluar Covid-19