Juventusi reagoi pas eliminimit nga Champions League. Porto i nxorri jashtë turneut të madh në mesjavë dhe bardhezinjtë janë përqendruar në kampionat. Bardhezinjtë fituan 1-3 në fushën e Cagliarit, falë një super Cristiano Ronaldo. Yllit portugez i mjaftuan 22 minuta për të ndëshkuar tre herë skuadrën sarde.

Në fillim me kokë falë një “fluturimi” në ajër, më pas me penallti dhe i rrjeta e tretë falë një goditje potente me të majtën. 23 gola në Serie A në këtë sezon për 36-vjeçarin luzitan. E sotmja ishte tripleta e dytë më e shpejtë e sulmuesit të famshëm, të cilit iu deshën vetëm 20 minuta për t’i shënuar tre gola Espanyolit gjashtë vite më parë.

Kampionët e ulën ritmin në fraksionin e dytë të takimit dhe Cagliari gjeti golin e nderit me anë të Giovanni Simeones në minutën e 61-të. Suksesi i sotëm e ka ngjitur Juventusin në kuotën e 55 pikëve. Bardhezinjtë kanë luajtur një ndeshje më pak se Interi kryesues, që ndodhet 10 pikë larg.