Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës për Partinë Socialiste, Erion Veliaj gjatë takimit me koordinatorët e fushatës, tha se në zgjedhjet e 25 prillit, përballë është një ekip që ende nuk ka listën gati. “Fatlum Nuri tha: ‘Ore këta më kanë vënë në listë pa më pyetur fare’. Domethënë e kuptoni çfarë ekipi kemi. I kanë çuar FIFA-s apo UEFA-s lojtarë të pafederuar, pra po bëhen gati për ndeshje me ne, nuk kanë çuar ende listën e ekipit, dhe ata që kanë çuar po ikin, se nuk kanë rënë dakord të jenë pjesë e atij ekipi. Pra kemi përballë realisht një koleksion memesh. Gjithë karikaturat e tranzicionit i kemi përballë. Filozofia e tyre është futen njëherë vipat, paria, brenda, pastaj kismet të tjerët”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se rinia shqiptare nuk e di se kush është Saliu, Basha e kandidaturat e tjera të opozitës dhe për këtë duhen informuar. Ndërsa për LSi-në tha se në lista i ka rënë shkurt, duke hapur SPAK dhe OFL dhe çfarë ishin emra aty i ka futur si kandidatë. “Një gjeneratë e cila ka lindur pas 97-ës nuk e mban mend Saliun që thoshte Svicra shqiptare është pushtimi i Lanës edhe pushtimi i parkut Rinia. Edhe nuk e mban mend që bankat zvicerane të Shqipërisë quheshin ‘Vefa’ edhe po ti shpjegosh njeriu që Luli është dhëndri i ‘Vefës’ shumica tjetër se kupton fare se nuk e kanë përjetuar atë fatkeqësi dhe sa mirë, se boll fatkeqësi na ndodhën pa i shkaktuar njeriu, imagjino ta kishin provuar edhe atë të njerëzve. Kanë qenë fëmijë kur ndodhi 21 Janari, nuk e kuptojnë se si mund të kenë ndodhur në Shqipëri të vriten njerëz me plumba në mish. Apo kur ndodhi Gërdeci”, nënvizoi Veliaj.