Gjatë një takimi me drejtues të PS në njësitë administrative të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka deklaruar se kjo forcë politike garon në 25 Prill me skuadrën më të mirë, strategjinë më të mirë, por dhe me programin më të mirë politik.
“Logjika jonë ka qenë ekzaktësisht ajo e një ndeshjeje futbolli, ku ekipet ndahen në 3 pjesë: një pjesë në sulm, një pjesë në mesfushë dhe pjesa tjetër luan në mbrojtje. Sulmi që ne kemi këto kohë është ndaj pasojave të tërmetit dhe pandemisë, prandaj kemi në krye Najadën dhe Luljetën, si dhe ministrat e Rindërtimit dhe Shëndetësisë. Në mesfushë është pjesa më e konsoliduar dhe e pjekur e partisë: Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli, Kryeministri Edi Rama, Gramoz Ruçi, Taulant Balla, etj. Pjesa e fundit është mbrojtja, sepse na mbrojnë nga predatorë që nuk do mungojnë as në këto zgjedhje,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se secili prej emrave të PS është dita me natën me ata që propozon Partia Demokratike: “Krahasohet Luljeta Bozo me Sali Berishën?! Mund të jenë e njëjta moshë, por ndryshe është profesoresha që bashkon, shëron, qetëson njerëzit; ndryshe profesor doktori që djeg, i vë zjarrin Shqipërisë, përçan, mbjell ndasi dhe helmon dynjanë. Krahasohet doktoreshë Najada me doktor Flamur Nokën?! Njëri që thotë si do shërojmë njerëzit dhe si do mbyllim plagë, me tjetrin që thotë si do presim duar dhe si do këpusim gishta! Krahasohet Etilda me Fatmir Mediun, ikona jonë e drejtësisë me ikonën e padrejtësisë?! A krahasohet Ogerta me Nard Ndokën?!”
“Lista e LSI, është e gjitha SPAK dhe OFL, – deklaroi Veliaj. “Si do shkojnë në parlament Rimi, Vojo dhe Tit Fusha?! Praktikisht e panë, kush është në hetim, kush është në konfiskim, i morën 4-5 dhe i futën në listë zgjedhore,” e përfundoi fjalën e tij me drejtues të PS, Erion Veliaj.