Kryeministri Edi Rama ka publikuar në llogarinë e tij të Facebook videon që dëshmon transformimin e qytetit të Pukës e cila ka ndryshuar rrënjësisht falë zbatimit të Projektit Kombëtar të Rilindjes Urbane.

Kreu i ekzekutivit shkruan ndër të tjera: Nga ferri i një hapësire të degraduar urbane, në parajsën e fshehur mes Alpeve. Qyteti i Pukës është shndërruar sot në një prej atraksioneve më të veçanta të turistike të Veriut, duke reflektuar gjithnjë e më shumë fuqinë transformuese të Rilindjes Urbane.

Me rigjenerimin e shëtitores qendore në Pukë, 20 biznese të reja u çelën në zonë dhe për herë të parë u investuan mbi 7 milionë lekë për rinovime ambientesh, baresh, restorantesh dhe sipërmarrjesh turistike.

Aktiviteti tanimë i shtuar ekonomik, çoi në një rritje me 20 % të punësimit në qytet dhe një rritje domethënëse me 35 % të numrit të punonjësve në të gjithë Pukën.

“Unë kisha fatin të isha në ekspeditën e parë shqiptare në Everest dhe që atëherë më lindi ideja të krijoj bujtinat. M’u dha mundësia të krijoj jo vetëm bujtinën time, por edhe bujtinat në Valbonë dhe në Theth, të jem një nga promotorët e bujtinave në Shqipëri dhe me investimet në qytet, me këtë ndryshim total të Pukës, rezultoi që ky është një nga bizneset më të suksesshme dhe siç e shihni vet ju tek Hani, tek bujtina ime, ka një dyndje shumë të madhe dhe një aktivitet shumë të madh”, theksoi pronari i bujtinës Përparim Laçi.

“Lindi nevoja për të rregulluar edhe pistën e skive. Pista e skive ka qenë një e shkurtër aty, pa dëmtuar pyllin. Këtu ka qenë vendi i mundësive për të bërë pistën e skive dhe sivjet siç është në Shkorrëz, menduam që ta bëjmë dhe në Pukë”, theksoi ai.

“Ma merr mendja që nuk dëgjon asnjë pukjan që të shkojë më në Tiranë. Nga dyndja e madhe që ishte në fillim që të gjithë njerëzit braktisnin fshatrat, këto muajt e fundit, këtë vit që kaluam, edhe pse ishte pandemia dhe COVID-i që bëri punën e vet, por janë kthyer mbi 46 familje, të cilat unë i kam edhe të inventarizuara dhe të identifikuara që po kthehen dhe po ndërtojnë shtëpitë e tyre. Shtëpitë e vjetra po i kthejnë në identitet, po i mbulojnë përsëri, po bëjnë ndryshime, sepse kanë qenë të braktisura dhe kjo është një frymëmarrje e jashtëzakonshme që do i jepet Pukës”, u shpreh ai.

Dedë Morina, nga Qendra At Mhill Troshani tha se, “ka një ndryshim rrënjësor. Këtë duhet ta shohë i djathti, i majti. Nuk më intereson politika, por më intereson zhvillimi i vendit. Puka në jetën e saj nuk ka pas një zhvillim të tillë”.

Transformimi i Pukës nuk ka zgjuar vetëm interesin e turistëve, por edhe të të rinjve që tashmë janë kthyer për të punuar dhe investuar në vendlindjen e tyre, e cila sot ofron një perspektivë më të mirë jetese, të lidhur me sektorin e ofrimit të shërbimeve apo prodhimit.

Miklovan Gjonaj i kompanisë “Dalmacia” u shpreh se, “në vitin 2004 nga trashëgimia familjare, babai vendosi të vazhdojë prodhim artizanal, kryesisht të lëngut të thanës. Që në 2009-ën unë nisa studimet për Kimi Ushqimore, më shumë për të qenë në ndihmë të biznesit për të zhvilluar proceset e proshimit, për të pasur një produksion më të mirë. Kam qenë 1 vit në Francë, kam jetuar në Holandë, pak a shumë atje 8 muaj, vendosa të vij këtu tani ta çoj përpara këtë biznes që familja na ka lënë dhe vazhdojmë ta kemi prapë si familje. Tani këto 8 vitet e fundit kemi pasur shumë progres në biznesin tonë, sepse kemi bërë ca investime, na kanë ndihmuar, siç mund të themi ky frigorifer këtu ka mbaruar vetëm vjet”.

Vullnet Kuçi, i Bujtina “N’Konak” u shpreh se, “pas një eksperience në Tiranë si student dhe një pune që bëra atje, ku jetova për 7 vite, u ktheva në Pukë me këtë dëshirë që kisha për të investuar dhe për të realizuar diçka që mendoja bashkë me familjen”.

“E fillova si një guidë lokale. Nxitja ishte për të bërë diçka në qytetin tim dhe për të kontribuar sadokudo në zhvillimin e turizimit duke qenë se kisha mbaruar një kurs për guidat turistike, pastaj me ecurinë e guidës arrita bashkë me familjen të realizojmë ambientin e bujtinës. Dhe fillimisht ne krijuam një faqe ku promovonim këto bukuri dhe aty u bë nxitja pastaj që ne të fillonim me gudiat dhe me projekte të ndryshme me promovimin e zonës”, u shpreh ai.

Miklovan Gjonaj i kompanisë “Dalmacia”, tha se, “gjatë kohëve të fundit është shtuar turizmi në Pukë dhe vijnë turistë nga e gjithë Shqipëria, por jo vetëm, edhe nga Europa dhe kemi parë që janë rritur shitjet dhe ka pasur një impakt shumë të madh në biznesin tonë familjar. Kjo ka impakt edhe në grumbullimin, sepse ne i grumbullojmë nga fshatrat këtu të zonës dhe njerëzit këtu po mundohen të rrijnë nuk duan të ikin dhe po punojnë tokën, po grumbullojnë manaferrën, thanën, po grumbullojnë boronicën. Kjo ka një impakt pozitiv në biznesin tonë, sepse nëse ata ikin nuk kemi ku t’i marrim frutat”.

Vullnet Kuçi, i Bujtina “N’Konak” shtoi se, “njerëzit tashmë po shohin iniciativa dhe mënyra për t’u bërë pjesë e këtij zhvillimi siç është ndoshta edhe bujtina që kam realizuar unë në qytetin e Pukës”.

Përparim Laçi, pronari i një bujtine, tha se, “tashmë është aprovuar fondi i parkut të aventurës. Është i vetmi në Ballkan dhe më i madhi, i cili do t’i japë Pukës një shtytje të jashtëzakonshme në turizëm”.