Afati kohor i reagimit të Policisë së Shtetit pas marrjes së një njoftimi është vetëm 18 minuta nga 35 minuta që ishte pak vite më parë. Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një pyetje ndjekësve të tij në instastory në rrjetin social Instagram, në rubrikën “100 ditë, 100 arritje” se sa ishte afati kohor mesatar i reagimit të Policisë pas marrjes së një njoftimi, 35 minuta apo 18 minuta. “18 minuta është sot koha e reagimit të shërbimeve policore nga 35 minuta që ishte në vitin 2013. Shpejtësia e reagimit do të rritet më tej në vitet që vijnë”, tha Rama.
Nga salla e komandimit në Drejtorinë e Policisë Tiranë, koordinohen në kohë reale komisariatet me patrullat, njësinë speciale, kamerat policore trupore, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Përmes numrit unik 112, në sallën e komandimit regjistrohet një mesatare prej 1400 telefonatash në ditë nga qytetarët e Tiranës, si dhe përcillen gjithashtu 120 njoftime në ditë nga aplikacioni Komisariati Dixhital që përfshin të gjithë Shqipërinë. Përgjigjja e Policisë është e detyrueshme. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, nëse vite përpara kemi pasur një mesatare prej 50% të rasteve kur reagohej, ndërsa për pjesën tjetër prej po 50 % nuk ndërmerrej ndonjë veprim, tani policia është e detyruar të veprojë për çdo telefonatë që merr.
Kjo falë teknologjisë e cila i ka shërbyer rritjes së shërbimit ndaj qytetarëve.