Shqipëria me bukuritë e saj natyrore, historike dhe kulturore mbetet një atraksion turistik i preferuar i turistëve të huaj dhe vendas. Gjatë viteve të fundit në vendin tonë janë rritur edhe strukturat akomoduese për pritjen e turistëve nga veriu në jug.

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një pyetje ndjekësve të tij në instastory në rrjetin social Instagram, në rubrikën “100 ditë, 100 arritje”, se sa struktura akomoduese për vizitorë ka sot më shumë se në 2013-ën, 1200 apo 2190″.

Kryeministri Rama thekson se, “2190 struktura akomoduese për vizitorë ka sot më shumë se në 2013. Gjatë 8 viteve të fundit kemi trefishuar strukturat akomoduese për vizitorë e turistë në 3264 të tilla nga vetëm 1074 që ishin në vitin 2013”.

Shqipëria është shumë e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet e bukura malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.