Nga Adriatik Doçi/ Për herë të dytë brenda dy viteve, mazhoranca qeverisëse do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe politizim të tejskajshëm të institucionit të Presidencës.

Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Sot, kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, njoftoi nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit, nga ky parlament dhe jo nga Kuvendi që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Po cilat janë hapat proceduralë për shkarkimin e kreut të shtetit?

-Fillimisht, vullneti për shkarkimin e kreut të shtetit, duhet të materializohet me një kërkesë të jo më pak se një e katërta e të gjithë deputetëve, drejtuar Kuvendit, shoqëruar me argumentet përkatëse.

-Së dy dyti, kërkesa për shkarkim administrohet nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ia përcjell Komisionit të Ligjeve për shqyrtim.

-Komisioni i Ligjeve, brenda 15 ditëve, i paraqet një raport Kuvendit, për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimi e kreut të shtetit.

-Kuvendi, jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e raportit nga Komisioni i Ligjeve, zhvillon një debat në seancë plenare dhe ngre brenda dy ditëve komisionin hetimor.

-Së pesti, komisioni hetimor konstituohet, miraton planin e hetimit dhe thërret presidentin Ilir Meta në seancë, për të dëgjuar pretendimet e tij mbi kërkesën për ta shkarkuar.

-Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor, miraton një raport ku i propozon Kuvendit shkarkimin e Presidentit.

-Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë, brenda 20 ditëve, si dhe vendos të shkarkojë presidentin me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, përkatësisht me 93 vota.

-Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Kuvendit brenda 5 ditëve nga marrja e tij.

-Së nënti, Gjykata Kushtuese vendos përfundimisht për shkarkimin ose jo të Presidentit. Nëse Kushtetuesja konfirmon vendimin e Kuvendit, Ilir Meta largohet nga Presidenca, në të kundërt, vendimi i shkarkimit humbet fuqinë vepruese.

Kjo është hera e dytë që mazhoranca nis procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Por, në fund, shumica u tërhoq nga shkarkimi i Metës.

Herën e dytë, për shkak të sulmeve të Metës kundër SHBA, duke se shumica është e vendosur ta shkarkojë me votë në Kuvend. Ndërkaq, Presidenti Ilir Meta, nuk ka asnjë mundësi ligjore për të shpërndarë Parlamentin. Presidenti e shpërndan Parlamentin, vetëm kur Kuvendi dështon të zgjedhë kryeministrin./ Shqiptarja.com