Një mandat për të çuar përpara reformat e nisura! Kështu e konsideron një mandat të tretë për Partinë Socialiste, kandidatja e kësaj force politike për Elbasanin, Albana Hana, e cila kërkon që ta vërë kapitalin e saj njerëzor dhe profesional në shërbim të banorëve të Rrajcës së Prrenjasit, zonë me të cilën e lidh fort origjina e babait të saj. “Im atë ka lindur në Rrajcë-Skënderbe, Prrenjas, në një familje të thjeshtë dhe me shumë vlera dhe, mbi të gjitha, në një vend të mrekullueshëm, të bekuar nga natyra. Unë kam kaluar aty shumë vera të fëmijërisë dhe adoleshencës time dhe i kujtoj ato me shumë nostalgji dhe, njëkohësisht, me një sy kritik për të gjitha vështirësitë me të cilat përballej veçanërisht fshati në ato kohë. Tani që kam një qasje të bazuar mbi përvojën personale në lidhje me sfidat e jetës, kuptoj të gjitha sakrificat e prindërve dhe paraardhësve tanë dhe ndiej se duhet të kontribuoj që gjithë ai mund, por edhe pasuri dhe trashëgimi që na kanë lënë, të mos humbasë ndër vite”, thotë Hana.
Hana, e cila mes të tjerash ka investuar karrierën e saj edhe në fushën e drejtësisë, rrëfen edhe raportin e saj personal me të drejtën, që siç thotë ajo, është një amanet i pathënë prej babait të tij, prokurorit të ndjerë, Xhevat Hana. “Im atë nuk ka rreshtur kurrë së besuari tek drejtësia. Ai ishte idealist dhe drejtësia ishte ideali dhe dëshira e tij më e madhe dhe këtë ideal na e ka përçuar edhe ne fëmijëve të tij. Tanimë që ai nuk jeton më, kjo dëshirë e tij është mision madhor për mua. Një amanet i pathënë por që, për mua, është si të merrte shpërblimin që meritonte për shumë vite sakrificë dhe shembull dhe, lartësimi i një emri të shenjtë për mua që është ngritur me shumë mund dhe punë”, thotë Hana.
INTERVISTA: 1- Ju vini nga një karrierë e pasur edhe në fushën e drejtësisë. Çfarë është drejtësia për ju, sa e rëndësishme është ajo për të ruajtur ekuilibrat e një shoqërie dhe si e keni parë të gjithë procesin e reformimit të saj që po ndodh aktualisht në vend? Albana Hana: Drejtësia për mua është fjala më e bukur dhe më kuptimplotë! Është themeli i bashkëjetësës së një shoqërie dhe produkti kryesor i kontratës sociale. Unë jam rritur dhe kam jetuar çdo ditë të jetës sime me drejtësinë. Ajo, në familjen time, nuk ishte vetëm profesion, por edhe jetohej, veçanërisht në marrëdhënie me personat jashtë saj. Im atë nuk ka rreshtur kurrë së besuari tek drejtësia. Ai ishte idealist dhe drejtësia ishte ideali dhe dëshira e tij më e madhe dhe këtë ideal na e ka përçuar edhe ne fëmijëve të tij. Tanimë që ai nuk jeton më, kjo dëshirë e tij është mision madhor për mua. Një amanet i pathënë por që, për mua, është si të merrte shpërblimin që meritonte për shumë vite sakrificë dhe shembull dhe, lartësimi i një emri të shenjtë për mua që është ngritur me shumë mund dhe punë. Edhe pse, unë preferoj ta mendoj tim atë siç na sugjeron Kamy me Sizifin: të lumtur në përpjeket e tij pa mbarim. Angazhimi im dhe mundësia për të dhënë kontributin tim në reformën në drejtësi do të jetë një nga rrugët për ta jetësuar këtë amanet.
Reforma në fushën e drejtësisë, e ndërmarrë nga Partia Socialiste dhe e sjellë me shumë përpjekje në formën që është sot, është një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra në këto 30 vite. Kjo reformë, gjithsesi, nuk është një qëllim në vetvete. Ajo është mjeti dhe rruga drejt shtetit të së drejtës i cili, edhe pse një nga pesë arenat e një demokracie të konsoliduar, po ashtu, është një qëllim i ndërmjetëm drejt qëllimit përfundimtar: mirëqënies së qytetarëve. Si rezultat, angazhimi im nuk do të jetë vetëm në forcimin e institucioneve të reformuara apo të ngritura në kuadër të kësaj reforme, por edhe bërjen e ligjeve më të mira përmes zbatimit të parimit të sigurisë ligjore, që është edhe ‘zemra’ e kërkimeve dhe temës sime të doktoraturës. Pa harruar edhe angazhimin në negociatat për kapitujt 23 dhe 24 të acquis communautaire që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Në çdo rast, të mos harrojmë se drejtësia nuk bëhet vetëm në sistemin e drejtësisë. Zbatuesit e parë të ligjit janë qytetarët. Ky është një nga mesazhet kryesore që i përcjell elektoratit tim në çdo takim dhe ‘premtimi’ im në fushatë. Drejtësia bëhet me çdo veprim që ndërmarrim, aq më tepër nëse je pjesë e strukturave ligjbërëse apo ligj-zbatuese, siç është administrata. Edukimi ligjor i qytetarëve, e kam theksuar dhe e theksoj, është nën-reforma më thelbësore e reformës në drejtësi dhe besoj, rezultati më domethënës i saj.
2- Kërkoni të përfaqësoni Bashkinë e Prrenjasit që është edhe vendlindja e babait tuaj. Ky fakt besoj se e bën edhe më të madh detyrimin tuaj moral për t’i shërbyer kësaj zone … Cila është oferta juaj politike për ta? Unë kam plot arsye për të kërkuar të përfaqësojë bashkinë e Prrenjasit dhe për t’u ndjerë krenare dhe e privilegjuar që Partia Socialiste më ka ofruar mundësinë të kandidojë këtu. Së pari sepse, siç thotë Viktor Hygo, e mira që bëjmë, na parfumon shpirtin dhe unë dua që shpirti im të ketë aromë të mrekullueshme për vete dhe për të tjerët. Dua të vetë-realizohem plotësisht nga ana profesionale, duke kontribuar gjithë investimin tim profesional të një jete, ku më mirë së në zonën nga e cila kam prejardhjen dhe me të cilën im atë ka pasur një lidhje shumë të fortë. Im atë ka lindur në Rrajcë-Skënderbe, Prrenjas, në një familje të thjeshtë dhe me shumë vlera dhe, mbi të gjitha, në një vend të mrekullueshëm, të bekuar nga natyra. Unë kam kaluar aty shumë vera të fëmijërisë dhe adoleshencës time dhe i kujtoj ato me shumë nostalgji dhe, njëkohësisht, me një sy kritik për të gjitha vështirësitë me të cilat përballej veçanërisht fshati në ato kohë. Tani që kam një qasje të bazuar mbi përvojën personale në lidhje me sfidat e jetës, kuptoj të gjitha sakrificat e prindërve dhe paraardhësve tanë dhe ndiej se duhet të kontribuoj që gjithë ai mund, por edhe pasuri dhe trashëgimi që na kanë lënë, të mos humbasë ndër vite. E theksoj gjithmonë në daljet e mia në media apo në bisedat me elektoratin: unë vij nga bota teknike dhe, më tepër sesa në politikë, që për mua mbetet arti i bashkëjetesës, po hyj në jetën politike. Që nënkupton: hyrja në jetën publike dhe mbështetje politike për të investuar kapitalin tim profesional, për të ndihmuar bashkëjetesën. Fakti që kam një lidhje shpirtërore me këtë zonë ma dyfishon përgjegjësinë e atyre që them dhe për të cilat zotohem përpara elektoratit. Oferta ime për të, më tepër sesa politike, është konkrete, praktike. Fjala ime dua të jetë shembulli im, puna ime. Unë personalisht jam partizane e lidershipit të heshtur: të udhëhequrit përmes shembullit, veprimit. Kjo është ajo për të cilën kanë më shumë nevojë njerëzit sot. Zona është një pasuri e vërtetë e natyrës dhe plot me tradita. Tërheqja e ‘shikimit’ të investitorëve dhe turistëve drejt një zone të mrekullueshme si Prrenjasi i cili, përmes Rrajcës dhe parkut të famshëm të ahut të moçëm të Shebenik-Jabllanicës, pranë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit dhe në buzë të dhe, përshkruar nga, Rruga e famshme Egnatia, përshkuar nga fusha me gjelbërim dhe pemë, me ajër të pastër dhe me njerëz të mrekullueshëm dhe që, është një kënaqësi e vërtetë të vizitosh, është pikësynimi im kryesor në këtë sipërmarrje. Që Prrenjasi të rifitojë plotësisht dinjitetin që i takon dhe banorët e tij të realizojnë mirëqënien që meritojnë.
3- Përse në gjykimin tuaj, Partia Socialiste do të duhet të marrë barrën e një mandati të tretë qeverisës? Nga fushata që kryeministri Rama dhe Partia Socialiste po zhvillojnë, gjykoj që mandati i tretë nuk është aspak një barrë për ta. Si asnjëherë më parë një parti në Shqipëri po lufton me kaq vendosmëri për një mandat të tretë dhe ky është një tregues se Partia Socialiste vërtetë dëshiron të çojë përpara apo përfundojë reformat dhe punët e nisura dhe jo të ‘lajë duart’ meqë 8-vjeçari ‘tradicional’ po përfundon. Nuk është aspak çudi, duke pasur parasysh qasjen e kryeministrit Rama ndaj punës. Ai ka dëshmuar çdo herë, që kur ishte Kryetari i Bashkisë së Tiranës, se ka jo vetëm vizionin, por edhe vullnetin për t’i shkuar nga pas të gjitha angazhimeve konkrete dhe aksioneve për realizimin e atij vizioni.
4- Politika për ju nuk ka qënë asnjëherë profesion, por ama vini nga eksperienca me projekte të Bashkimit Europian, çka do të thotë që jeni një njohëse e mirë e standardeve europiane dhe e sfidave që Shqipëria ka në përpjekjen për t’u afruar me familjen europiane. Si do ta vlerësonit ju rrugëtimin e deritanishëm të Shqipërisë në këtë aspekt? Një pjesë e mirë e përvojës time profesionale lidhet me programet e financimit të Bashkimit Evropian për vendet që aspirojnë aderim në strukturat e saj, veçanërisht programet e bashkëpunimit ndërkufitar. Që në fillim të punës sime me fondet e BE-së kam kuptuar rëndësinë e projekteve të bashkëpunimit me vendet fqinje dhe faktin se zhvillimi ekonomik dhe social dhe arritja e standarteve evropiane do të vijë veçanërisht nga angazhimi në këto projekte i të gjithë aktorëve përfitues. Rruga e Shqipërisë është vetëm ajo drejt integrimit evropian dhe, pavarësisht sfidave objektive apo subjektive të hasura, shqiptarët nuk e kanë humbur kurrë aspiratën e tyre për të qenë pjesë e BE-së që buron, pikë së pari, nga përkatësia e tyre në Evropë. Duke ardhur nga bota e projekteve, shikimin tim e tërheqin pikë së pari pikat e forta dhe potencialet e zonës që do të jenë edhe ‘arma’ ime kryesore në punën dhe angazhimin tim në zonë për adresimin e pikave të dobëta apo risqeve që paraqiten. Jeta e ka sjellë që unë të jetoj dhe studioj në vende të ndryshme të Evropës dhe kjo, përpos njohjes me kultura të ndryshme, më ka pajisur më një qasje krahasuese dhe më gjithëpërfshirëse ndaj problemeve sociale dhe adresimit të tyre. Në punën time në këtë drejtim në zonë dua të mbështetem në përvojën e dy vendeve tashmë anëtare të Bashkimit Evropian: Irlandës dhe Polonisë dhe suksesin e tyre në përthithjen dhe jetësimin e fondeve strukturore të BE-së dhe transformimin e tyre falë mençurisë së qasjeve të tyre. Por pa harruar seriozitetin, këmbënguljen dhe disiplinën që na fal modeli i Gjermanisë. Burimet njerëzore do të jenë çelësi për realizimin e ideve dhe objektivave të mij: krijimi i asaj që në gjuhën e projekteve e quajmë ‘pool of experts’, një grup i specializuar të rinjsh që kanë studiuar këtu apo jashtë Shqipërisë, që vijnë nga dhe njohin zonën dhe që duan të kontribuojnë në mënyra të ndryshme për zhvillimin e saj. Kjo do të shpjerë në gjenerimin e vendeve të reja të punës, krahas kërkimit për vendosjen në zonë të punëdhënësve më të mëdhenj. Po ashtu edhe gratë.
5- Partia Socialiste në fakt, në këto zgjedhje, ka sjellë një qasje të re, duke promovuar në masë në listat e kandidatëve për deputetë, gra dhe vajza profesioniste. Cili do të ishte mesazhi juaj për gratë dhe vajzat e zakonshme shqiptare që nga politika dhe angazhimi i grave si ju, presin më të mirën për veten dhe familjet e tyre? Mesazhi i parë dhe më i rëndësishëm për të gjitha gratë dhe vajzat mbetet: rrugëtimi ynë në kohë dhe hapsirë ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm. Le të nderojmë sakrificat e grave, nënave dhe motrave tona dhe të ngrihemi mbi to për të lartësuar dhe lehtësuar rrugën e atyre që vijnë më pas. Së dyti, mesazhi që do t’i përcillja çdo të riu: punë, punë, punë. Edukimi dhe dija nuk do t’ju braktisin kurrë! Së treti dhe më e rëndësishmja: mos harroni të vishni çdo ditë dinjitetin tuaj: është vlera më e lartë shoqërore që kemi trashëguar ndër breza dhe xhevahiri më i bukur që mund të mbani. Dhe së fundmi, duke iu referuar një shkrimtareje të re por mjaft të talentuar kanadeze, gratë nuk duhet të kenë frikë nga hapësira që mund të zërë secila prej tyre në jetën publike. Vetëm së bashku mund të kërkojmë dhe realizojmë në praktikë të drejtat që na takojnë!