Presidenti Ilir Meta ka braktisur Presidencën dhe ka ngritur “fushimin” e tij në Vlorë, ku po bën fushatë me kohë të plotë, në favor të LSI!

I çakorduar ndoshta nga rënia pikiatë e mbështetjes ndaj partisë së tij në qarkun e Vlorës, e tha dhe një natë më parë se është “krijesë e tij dhe s’lejon as Monikën ta shesë”, Meta ka nisur që dhe deklarimet publike t’i artikulojë nga qyteti bregdetar.

Bën përjashtim ndonjëherë kur deklarohet nga Fieri, pikërisht në qarkun ku gruaja e tij Monika Kryemadhi kryeson listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit!

Madje dhe dekretet apo dekoratat e shumta që ka dhënë e jep këto kohë në funksion të fushatës për LSI, me sa duket firmosen, vulosen dhe “distributohen” nga selia e re e Metës në Vlorë.

Po çfarë e ka detyruar Ilir Metën që të dalë zyrtarisht nga “kostumi” i Presidentit dhe të veshë zyrtarisht atë të kreut të partisë së dytë opozitare, por dhe të luftojë që pas 25 prillit të marrë në dorë frenat e të gjithë opozitës, duke zhvendosur dhe Lulzim Bashën?

Elementi i parë që ka sjellë acarimin e Ilir Metës është se të gjitha sondazhet, madje dhe ato që publikohen në mediat që janë njësh me të dhe Berishën, japin një rënie drastike të mbështetjes për LSI.

Për pasojë Ilir Meta sheh me frikë rezultatin e 25 prillit i cili mund ta katandisë LSI me një të tretën e deputetëve që ka marrë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Madje dhe më pak.

Në rezultat i tillë jo vetëm i heq Metës mundësinë e luajtjes së rolit të “King Maker-it” në formimin e qeverisës së re, por dhe mund të shkaktojë një rrjedhje të jashtëzakonshme të LSI drejt partive të tjera.

Dhe “bjerrja” e kësaj partie ka filluar nga Vlora për të përfshirë gjithë Shqipërinë. Një pjesë kalojnë në shumicë tek partia “amë”, PS, ndërsa pjesa tjetër e ardhur nga radhët e PD si nevojë për të qëndruar në administratë, po lëvizin drejt të djathtës.

LSI është parti klienteliste dhe si e tillë, bazën e elektoratit e ka nga ky kontigjent, mbështetësit pragmatistë dhe përfitues pushteti.

PD në fshehtësi dhe PS hapur po punojnë fort për shkatërrimin e LSI, duke respektuar sëpaku në parim marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës për ta dërguar partinë e Metës “për skrap”.

I nxitur nga zhvillimet e deritanishme, por dhe paranojat e përhershme të tij, Ilir Meta sheh kudo armiq dhe njerëz që duan t’i bëjnë ‘gropën’ atij dhe partisë që drejton realisht.

Akuzon kreun e listës së PS për qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri se po blen vota, komisionerë dhe se po bashkëpunon me mafian për të vjedhur zgjedhjet në qarkun e Vlorës.

Jashtë “radarit” të paranojes së tij nuk ka mbetur as drejtuesi politik dhe kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë, nënkryetari i LSI Luan Rama.

Në fillim ishte Petrit Vasili ai që sulmoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë duke aluduar se po shiten interesat e LSI në Vlorë dhe duke bërë thirrje që votimi për kandidatët në qarkun e Vlorës të mos fillonte nga njëshi, Luan Rama, por nga dyshi Grisejda Myslimi, një vajzë adoleshente dhe që, pa e paragjykuar aftësinë e saj apo mbështetjen që mund të fitojë, e ka shumë të vështirë ta luajë rolin e kryesueses së listës, si “zonjusha e parë” për qarkun e Vlorës.

Ilir Meta që praktikisht është instaluar në Vlorë nuk e ka takuar asnjëherë Luan Ramën, të cilin me sa duket e cilëson si “Kalë Troje” të Edi Ramës në radhët e LSI.

Madje dhe një natë më parë e ka sulmuar, duke u shprehur se “mandatet e Vlorës nuk do t’i shkojnë krimit të organizuar. Ju më pyesni pse Luan Rama takon qytetarë me kapuçë në kokë në Vlorë, sepse nëse do të jetë i vërtetë ky lajm besoj edhe Luani do të ishte me kapuç”.

Një qëndrimi i hapur i Metës kundër nënkryetarit të LSI, i cili është dhe drejtues politik i partisë për këtë qark dhe që praktikisht po e zhvillon i vetëm fushatën elektorale.

Është e sigurtë që nëse LSI si parti arrin të marrë votat e nevojshme për një mandat deputeti, Luan Rama është i pari në listë dhe do të jetë ai që do të certifikohet si deputet në qarkun e Vlorës.

Prandaj Meta nuk i ndal sulmet dhe kërcënimet ndaj Luan Ramës, teksa nënvizon se “Ilir Meta ka qenë shumë i ndershëm dhe i rregullt me Edi Ramën dhe të gjithë.

Por Ilir Meta duhet të jetë në rregull me Kushtetutën e Shqipërisë. Nuk ke shanse të çosh për skrap opozitën.

Nuk ka fuqi as Monika të shesë LSI nëse i shkon në mend se nuk e kam krijuar unë LSI për ta shitur. Deputeti që zgjidhet në një zonë të mbrojë të drejtat e kësaj zone”!

Një masë paraprake kjo e Metës kundër nënkryetarit të LSI, të cilit i betohet se mandati i tij nuk do të shkojë kurrë në duart e Edi Ramës, si një mandat i shitur sipas tij për interesa mafioze.

Për të parandaluar hyrjen e Luan Ramës në Parlament, Ilir Meta ka udhëzuar të gjithë drejtuesit vendorë të LSI që të bëjnë fushatë për numrin 2 të listës, Grisejda Myslimi.

Një skenar të tillë e deklaroi dhe nënkryetari tjetër i LSI Petrit Vasili, i cili bëri thirrje publike për votimin e Myslimit në Vlorë dhe u involvua në fushatë në mbështetje të saj.

Elementi i dytë që ka ngritur “sentimentin” e Ilir Metës deri në lëvizje nga “binarët” normalë politikë dhe njerëzorë është përzgjedhja e kandidatëve të LSI nga radhët e adoleshentëve, që përbëjnë dhe shumicën e listës së kandidatëve për deputetë të LSI në zgjedhjet e 25 prillit!

Duke qënë se figurat kryesore të kësaj partie, për shkak të konflikteve me kryetaren e deleguar Monika Kryemadhi por dhe mungesës së perspektivës qeverisëse, janë larguar nga LSI.

Rastet e ish ministrit të Drejtësisë së LSI Nasip Naço në Berat, të ish ministrit dhe ish kryetarit të bashkisë së Durrësit në Durrës si dhe figurave të tjera të mënjanuara dhe të paangazhuara e lënë jashtë strukturave nga Kryemadhi, janë domethënëse.

E themi këtë pasi këto figura i kanë dhënë tonin aktiviteteve politike dhe qeverisëse të LSI, dhe për më tepër janë politikanë që kanë mbështetje në elektorat, mbështetje që përkthehet në vota.

Rezultatet e vitit 2017 për LSI në Berat, në Durrës apo deri në Tiranë e kanë treguar këtë, dhe këto vota sipas të gjitha gjasave do të rikthehen në “bazë” tek PS, por dhe të tjera tek PD!

Këtë boshllëk të krijuar, Kryemadhi e ka mbushur me të rinj që kanë “pushtuar” strukturat e LSI dhe listat e kandidatëve për deputetë, dhe prezantuar moshën më të re mesatare të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit.

Meqënëse në LSI, si parti familjare, ka rëndësi bindja ndaj drejtuesit, Ilir Meta dhe Kryemadhi u ka besuar këtyre adoleshentëve, të cilët operojnë në fushatë dhe politikë vetëm me urdhërat e kryetarit. Pasi nuk dinë dhe për më tepër nuk kanë moshën të dinë se çfarë thonë e çfarë bëjnë, një precedent i rrezikshëm ky për politikën shqiptare.

I kthyer si një “Kopsht pa drekë”, LSI hyn në zgjedhje me një armatë adoleshentësh, të cilët vërtetë japin spektakël, por nuk mbledhin vota.

Çfarë mund t’i besojë qytetari, i cili ka nevojë për shërbime dhe mbështetje nga qeveria në këtë vend, një grupi të rinjsh që kanë përmbytur listat e LSI, të cilët ende nuk kanë mbaruar universitetin, apo më keq sapo kanë mbaruar gjimnazin.

Elementi i tretë që e ka lëvizur Ilir Metën nga standardet normale të një Presidenti e deri të një politikani është fakti se Edi Rama ka konsoliduar mbështetjen në qarkun e Vlorës, duke “guxuar” madje të vendosë emrin e tij të 8-tin në listën e kandidatëve për deputetë.

Kësaj sfide të Ramës, Ilir Meta ka menduar t’i përgjigjet me të njejtën “monedhë”, instalimin e tij “non stop” në Vlorë dhe goditjen e kryeministrit pikërisht nga bastioni i tij ku ka dalë 8 vite si deputet.

Duke qënë se nuk mund t’i heqë vota mazhorancës në këtë qark, Ilir Meta ka filluar ngritjen e alibisë së humbjes, dhe akuzuar se ka komplot mafioz kundër LSI, nga Gjiknuri, Qendro e deri tek nënkryetari i LSI Luan Rama apo ish deputeti i kësaj partie Shkëlqim Selami të cilin e quan “qimka”.

Por njëherësh, pikërisht nga Vlora presidenti i Republikës ka filluar “aksionin” e tij për prishjen e zgjedhjeve, në zonën ku ka qënë deputet 8 vite rresht dhe kandidon për një mandat të tretë kundërshtari i tij politik Edi Rama.

Se sa do t’ia dalë Ilir Meta të prishë zgjedhjet, këtë do ta vertetojë koha. Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka qënë e qartë në intervistën e saj në televizionin publik shqiptar, teksa deklaroi se “kush prish zgjedhjet, do të ndëshkohet”!

Të shohim nëse Ilir Meta “do të kapë për veshi amerikanët”, “luftojë mafien shqiptare dhe atë ndërkombëtare” dhe të dëmtojë zgjedhjet!(M.Nikaj-TemA)