Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri mori pjesë mbrëmë në një takim me komunitetin çam në Vlorë ku prezantoi kandidaten Teuta Ramaj e cila mban numrin 9 në listën e socialistëve. Gjiknuri tha se çdo votë nga komuniteti çam duhet të shkojë për Partinë Socialiste dhe të vetmen përfaqësuese dinjitoze çame për këtë legjislaturë. Ai vuri theksin tek bashkimi i të gjitha forcave, që çamët të nxjerrin mandatin e tyre ndërsa Nr.9 që Teuta Ramaj mban në listën e socialistëve përkon dhe me objektivin për 9 mandate në Qarkun e Vlorës për PS.

“Përfaqësim real politik do të thotë pjesë e vendimarrjes, pjesë e aksesit në institucione dhe asnjëherë komuniteti juaj, kjo krahinë kaq e shquar, pjesë integrale e Qarkut te Vlorës, nuk e pati këtë shans. Gjithmonë është votuar për të tjerë në Tiranë, për të bërë politikat e tyre, por asnjë nuk mendoi realisht për këta patriotë këtu që kanë nevojë për përfaqësi, kanë nevojë për avancim dhe akses në vendimarrje. Pikërisht sepse nuk është vetëm çështje kombëtare është edhe çështje komunitare, është çështje e integrimit të qytetarëve. Sëbashku do ta garantojmë këtë. Prandaj, mandati i nëntë është mandati i patriotëvë çam, i krahinës tuaj. Jam i bindur se me votën tuaj masive, ju e keni në dorë. Dëshiroj të bëj thirrje që duke votuar numrin 12 PS dhe numrin 9 në listë Teuta Ramaj, që përkon me 9 mandatet, të mendoni që do të keni zonjën tuaj, vajzën tuaj përfaqësuese në Kuvend. Ata nuk e duan mandatin e 9-të të PS, nuk duan që ky mandate ti shkojë vajzës çame sepse asnjë parti tjetër nuk ka një shans real për të pasur një përfaqësim”, u shpreh Gjiknuri.

Për kandidaten Teuta Ramaj, vota e çamëve të Vlorës është votë besimi dhe shprese, jo vetëm për kauzën çame por për përfaqësimin, integrimin dhe promovimin e e vlerave të krahinës së Çamërisë. Vota për Partinë Socialiste është votë për vlerësimin dhe përfaqësimin e komunintetin në listat e këtij subjekti politik.

“Nëse shtëpia jonë Çamëria është atje matanë kufirit, familja jonë, familja çame jeton këtu dhe ne duhet të përmbushim detyrën tonë qytetare ndaj saj. Prandaj, në çdo rast na duhet vëmendje politike dhe institucionale. Kjo vëmendje arrihet me përfaqësimin tonë në Parlament, sëpari si çam dhe së dyti si Vlonjat. E kam thënë dhe e përsëris, mandati i nëntë i Partisë Socialistë është mandati i parë dhe i vetëm i çamëve në Vlorë për këtë legjislaturë. Ne e kemi mundësinë për t’ia dalë sepse i kemi të gjitha shanset për ta nxjerrë mandatin tonë dhe së dyti, sepse jemi njerëz që kemi një vullnet politik. Nuk jemi thjesht numra që zbriten nga këtu për tu shtuar në defterin e llogarive politike të askujt. Një mandat çam në Vlorë do të thotë nisma për të promovuar vlerat e trevës sonë dhe çështjen tonë. Mbi të gjitha do të thotë çdo ditë vëmendje dhe respekt ndaj çamëve të Vlorës. Ky moment i favorshëm politik është krijuar falë vullnetit që Partia Socialiste ka treguar si forca që di dhe që mund të sjellë ndryshimin. E pikërisht shenjë e këtij vullneti të mirë është edhe vendimi i sotëm i Këshillit Bashkiak me emrin e patriotit të madh të trevës së Çamërisë Rasim Dino“, shtoi Ramaj.