Platforma elektronike eTransport, si një sistem menaxhimi operacional dhe financiar për transportin rrugor ndërqytetës të udhëtarëve, do të jetë e ardhmja digjitale e këtij sektori përmes fjalës së fundit të teknologjisë. Për herë të parë në Shqipëri, ky projekt i nisur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, do të krijojë një standard të ri të eksperiencës së udhëtimit me linjat e transportit ndërqytetës, bazuar në praktikat më të mira evropiane. Sipas statistikave, 93% e fluksit total të udhëtarëve në vit përdorin transportin rrugor ndërqytetës me autobus, duke përbërë fluksin më të madh të udhëtarëve pas transportit ajror, detar dhe hekurudhor. Platforma eTransport do të ofrohet falas për të gjithë aktorët e përfshirë në skemën e transportit ndërqytetës: 520 linja, 242 operatorë dhe 2,282 mjete.

Përfitimet e platformës eTransport janë të shumta si:
•Mundësi për blerjen e biletës së udhëtimit nga çdo individ, me ulësen e zgjedhur, në eTransport: online (përmes aplikacionit dhe faqes zyrtare); në autobus ose terminal; në agjencitë e udhëtimit.
•Krijimin e bazës elektronike të të dhënave të transportit ndërqytetas që përfshin linjat, oraret, shoqëritë e licencuara, mjetet e certifikuara, dokumentacionin, të dhënat e drejtuesve të mjeteve, terminalet, gjeo-orientimet dhe ndërlidhjet;
•Aplikimin online për licencimin e shoqërive dhe certifikimin e mjeteve;
•Monitorimin në kohë reale të subjekteve që operojnë në transportin ndërqytetës në lidhje me respektimin e kushteve të përcaktuara në licencë si frekuenca, oraret, itinerari, stacionet, tarifat, paketat sociale, personeli e mjetet;
•Monitorimin në kohë reale të lëvizjeve të flotës së mjeteve të shoqërive, nëpërmjet gjeolokalizimit dhe pajisjeve të instaluara në çdo mjet;
•Gjenerimin e një sistemi pikëzimi të shoqërive të transportit në lidhje me respektimin e kushteve të përcaktuara në licencë, cilësinë e shërbimit, vlerësimin nga pasagjeri dhe rregullsinë e operimit;
•Ofrimin e lehtësirave për shtresat në nevojë, të parashikuara me ligje të veçanta, siç janë personat me aftësi të kufizuar, personat me statusin e të verbërit, studentët, duke garantuar verifikim digjital;
•Mundësinë e aksesit nga udhëtarët dhe turistët e huaj nëpërmjet web-it/app-it dhe pajisjeve elektronike robotike për biletimin, linjat, oraret, si dhe mundësi ndërveprimi me tërë rrjetin e shërbimeve të tjera të transportit lokal e rajonal.

Krahas fiskalizimit, formalizimit të tregut, modernizimit logjistik, mbrojtjes së konsumatorit dhe transparencës së plotë, platforma eTransport do të përmirësojë ndjeshëm eksperiencën e të udhëtuarit në Shqipëri.