Në mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste në Elbasan, të organizuar brenda dhe jashtë ambienteve të stadiumit “Elbasan Arena” nën respektimin e masave anti-COVID, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi që është njëherësh kryesuese e listës së kandidatëve për deputetë për Qarkun e Elbasanit ka përshëndetur mijëra të pranishmit në këtë aktivitet.
“E kam shumë të vështirë t’i gjej fjalët sot për t’ju falënderuar të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë që nga dita ime e parë në politikë. Fjalët nuk mjaftojnë për t’ju shprehur mirënjohjen nga thellësia e zemrës sime që më inkurajoni çdo ditë, që më motivoni çdo ditë në punën time” – tha ajo.
“Sot unë nuk jam vetëm një nga bijat e këtij qyteti, apo një nga pedagoget e Universitetit të Elbasanit. Unë sot ju përfaqësoj të gjithëve ju në MASR, në tempullin më të lartë të dijes, vlerën dhe pasurinë më të vyer që këtu në Elbasan e kanë trashëguar brez pas brezi. E di që nuk kam bërë mrekulli në këta muaj të punës sime. Por dua t’ju them të gjithëve që çdo gjë që kam bërë, sado e vogël dhe modeste, e kam bërë me shumë dashuri, me shumë përulësi, dhe kështu do të vazhdoj çdo moment, deri sa të kem mbështetjen dhe besimin tuaj, sepse dashuria ka qenë frymëzimi gjithmonë në jetën time, në çdo moment. Është dashuria për vajzat e mia që më ndihmon të kuptoj mirë se çdo prind do që ta rrisë fëmijën e tij të lumtur dhe të shëndetshëm. Ka qenë dashuria për të mësuarit që më ka bërë të hy në shkollë, madje herët, pa mbushur akoma 6 vjeç. Dhe pikërisht, kjo dashuri më mban akoma lidhur ngushtë me arsimin, herë si ministre, shpesh si pedagoge, ama përjetësisht si nxënëse, sepse të mësuarit është baza e një shoqërie të shëndetshme dhe të begatë. Është dashuria për qytetin tonë, Elbasanin, e cila më ka bërë t’i bashkohem PS në vitin 2013-të për të bërë Elbasanin më të zhvilluar, për të bërë Shqipërinë më të zhvilluar”– është shprehur Znj. Evis Kushi.
Ndër të tjera, Kushi nënvizoi se të gjitha punët që janë bërë në Elbasan, duke filluar nga stadiumi “Elbasan Aream” deri tek impianti i përpunimit të mbetjeve, që nga rikonstruksioni i shkollave deri tek spitali rajonal, rikonstruksioni i rrugëve e gjithçka tjetër që është bërë, është bërë me shumë përkushtim, me sakrificë, me mund dhe me dashuri, duke shtuar gjithashtu se:
“Nuk kanë qenë të lehta këta 7 vite e gjysmë. Me Edi Ramën dhe PS, e gjetëm Shqipërinë të rrënuar. Por përveshëm mëngët dhe i hymë punës për ta rindërtuar dhe nuk u dorëzuam për asnjë moment. Edhe kur patëm përpara sfida të vështira, siç ishte tërmeti apo pandemia, ne, me shumë dashuri vazhduam përpara. Ishte pikërisht dashuria për këtë vend dhe për njëri-tjetrin që na bënë të ecim me vullnet, forcë, kurajo, me guxim të gjithë bashkë. Dhe kemi shumë besim që të gjithë bashkë, vetëm të gjithë bashkë ne do t’ia dalim, të bashkuar ne do të ngjitemi dhe do të shkojmë drejt majës me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste”.