Në 17 majin të katër viteve më parë ku u arrit pakti mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, Ilir Meta nxitoi të takonte Sali Berishën për t’u njohur për këtë marrëveshje, nëse mes dy liderëve PS dhe PD ishte vendosur edhe fati politik i LSI-së.
Pra i asaj që më vonë përdorej si zhargon “çuarjes për skrap” të LSI-së, partisë që aktualisht drejtohet nga Monika Kryemadhi.
Sot pas katër vitesh, ftesës së Ramës në adresë të Bashës për të bashkëpunuar i është përgjigjur ashpërsisht sërish Ilir Meta, i cili ka paralajmëruar Bashën se nëse ndërmerr një hap të tillë do të përvëlohet.
“Ftesa e Ramës është “shumë e sinqertë”, si gjithmonë, siç ishte ftesa e 17 majit, siç kanë qenë të gjithë ftesat. “Përgjigja ime në parim është kjo: Ka moral dhe legjitimitet çdo koalicion përpara se qytetarët të votojnë. Do ta bëjë PS-ja me PD-në?
Ta shpallin që tani në mënyrë që të marrin një votëbesim plebishitar. Do ta bëjë LSI-ja me PS-në? Ta shpallin që tani. Duan ta bëjnë që të tria? Ta shpallin që tani. Duan ta bëjnë që të dymbëdhjetat? Ta shpallin që tani! Të jenë të sigurt se do t’i mundi Boikeni (Abazi), edhe i vetëm”, ishte reagimi i Metës.
Dukshëm Meta e përsëriti qëndrimin e tij kundër paktit Rama-Basha, duke shtuar se “ka ikur koha, se u bë 8 vjet që tallen me popullin e Shqipërisë, 25 prill është prova e zjarrit për të gjithë, do përvëlohen ata që janë tallur”, edhe pse 8 vite më parë ai bashkëqeverisi me Ramën.
Çështja shtrohet se pse Meta lëshon një deklaratë të tillë aq sa ndërhyn në zhvillimet apo qëndrimet e brendshme të PD-së, duke ia diktuar ato, e cila de jure ka si kryetar Lulzim Bashën?
Nga ana tjetër pse Basha e lejon një gjë të tillë, që presidenti t’i “fusë hundët” dhe të vendosë dhe për fatin politik të partisë më të madhe opozitare? Pyetja tjetër që shtrohet a është Basha një lider i PD-së që vendos vetë për çdo gjë, apo i trembet “babait politik”, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Meta.
Basha me qëndrimin e tij refuzues po demonstron se këto nuk janë të marra nga si lider i opozitës, pasi i frigohet reagimeve të forta brenda opozitës, siç ishte ky i Metës, i cili më herët e ka kërcënuar se nëse PD e LSI humbin zgjedhjet do të marrë drejtimin e liderit të opozitës, apo nga një reagim i Berishës, i cili shihet ende e kësaj dite si “busulla e vendimeve dhe qëndrimeve të PD-së”.
Vetë Basha në librin e tij, “Misioni im”, jep arsyet se pse nuk e “vrau babain politik”, duke argumentuar “Babai respektohet në shoqërinë tonë dhe kudo në shoqëritë e shëndosha: jeta ndjek ciklin e saj dhe gjërat shkojnë dhe ecin për para dhe përvoja veçse mund të vleje. Kjo ftesë e përhershme për të ‘vrarë babanë’ më është dukur gjithmonë jo vetëm qesharake, por edhe e pakuptimtë, kur në vetvete përvoja dhe lidershipi i Sali Berishës si lider politik, mund të ishin për mua vetëm përparësi, për të marrë një mendim, për të rrahur ide, për të bërë një diskutim”.
Ndaj edhe ftesa e Ramës e ka një “por”, një kusht, që Basha të shkëputet nga Meta dhe Berisha, pra që vendimmarrjet të jenë ekskluzive të tijat apo të forumeve, të pandikuara nga të tjerët.
Basha mund të ketë menduar se ftesa e Ramës është një kurth politik, por ajo vlen përtej zgjedhjeve të 25 prillit, ku ende deri më tani nuk i dihet fituesi i tyre. Dhe me këtë qëndrim refuzues jep imazhin e një lideri, ndryshe nga sa shfaqet në deklarata apo në kancelaritë evropiane, si lider që është pro dialogut politik./Shqip