Partia Socialiste mbyll sot fushatën elektorale në qytetin e Vlorës. Gjatë fjalimit të tij drejtuesi i ekipit socialist për Vlorën, Damian Gjiknuri pranoi se ka edhe të zhgënjyer. Gjiknuri përmendi gjithashtu procesin e legalizimeve, për të cilin tha se kanë bërë 200 mijë, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës pas përgjimit të publikuar me kreun e Kadastrës.
Sipas Gjiknurit, në mandatin e tretë do të rriten edhe pensionet, duke shtuar se në këtë mandat pësuan dy goditje.
“E di që ka edhe të zhgënjyer, kanë pritur që gjërat të ecin më shpejt. Edhe ju që keni pritur të bëhet legalizimi. Ne ishim ata që legalizuam 200 mijë banesa, mos dëgjoni ata të tjerët që thonë do ju prishim. Ishim ne që bëmë 200 mijë dhe do t’i përfundojmë të gjitha. E di që ka pensionistë që prisnin të rriteshin pensionet por na kuponi ndodhur pandemia, tërmeti.
Edi Rama u erdhi në ndihmë atyre që kishin nevojë. Mandatin tjetër patjetër që do të rriten pensionet e tyre,” tha Gjiknuri.
Një koment ai e pati edhe për opozitën dhe presidentin Ilir Meta. “E keni parë këto ditë si janë tërbuar,atë presidentin. Tha do t’ju pres duart, por për çudi çdo njeri që kapet duke vjedhur vota qëllon të jetë i LSI. NË Vlorë ti nuk do të marrësh asgjë dhe mos e provoko popullin e Vlorës. Le ti japim referendum këtu në Vlorë me 9 mandate për PS dhe ata le të shkojnë në koshin e historisë. Të gjithë në votime ti japim përgjigjen e duhur. Vlora ta bëjë fora,” deklaroi ai.