Damian Gjiknuri, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, nga Delvina ku prezantoi kandidatët Anila Denaj, Niko Kuri dhe Leonard Beqiri, bëri thirrje për të gjithë qytetarët që të mos shpërdorojnë votën e tyre të 25 Prillit.
“Mendoj se ka shumë arsye pse ne duhet të votojmë për PS-në dhe Edi Ramën dhe mos ta hedhim votën dëm. Vërtet ky sistem zgjidhor mundëson që të votoni edhe kandidat të mundshëm por mbi të gjitha votoni PS-në, vota për PS-në bën edhe Nikon deputet, edhe Anilën, edhe mua dhe të gjithë këtë ekip. Vota për PS-në i shkon të gjithëve. Ata i kanë dhënë provat edhe në vitin 2005 kur erdhen në pushtet. Bllokuan të gjitha projektet e Edi Ramës në qytet dhe të njejtën gjë duan të bëjnë tani, që të gjitha këto vepra të nisura në Sarandë të mos përfundojnë kështuqë ne duhet të bëjmë shumë kujdes që votën ta cojmë për PS-në dhe PS-ja të dali partia më e votuar në qarkun e Vlorës për të dhënë një mesazh, të marrim rezultatin më të thellë për qarkun e Vlorës që të gjithë ekipi të nderohet.”, vlerësoi Gjiknuri.
Duke u ndalur tek investimet e kryera gjatë këtyre viteve në Delvinë, Gjiknuri ju referua konkretisht ujësjellësit të qytetit dhe aksit rrugor Kardhiq-Delvinë.
“Këtu, kur erdha para 5 vitesh, problemi kryesor që nxirrnin delvinjotët, ka qënë problemi i ujit të pijshëm. Në fakt, me investimin e qeverisë shqiptare, çështja e ujit të pijshëm po vihet në zgjidhje. Kjo është e vërteta dhe nuk është cështje fjalësh. Tashmë po bëhet vepër dhe jemi në përfundim të këtij procesi dhe shumë shpejt delvinjotët do të kenë ujë. Një dëshirë e kahershme dhe praktikisht ka qënë një problem shumë serioz për zonën. Kjo po bëhet realitet falë investimeve dhe premtimeve të mbajtura nga Partia Socialiste. Gjithashtu, problemi tjetër i madh që ka qënë rruga Kardhiq-Delvinë, tenderuam pjesën më të madhe të rrugës dhe tashmë është segmenti i fundit që është tuneli i cili dhe ai brenda një viti jam i bindur që do të përfundojë. Delvina do të ketë një akses shumë më të mirë në rrjetin kombëtar të rrugëve, kjo do të bëjë që Delvina të ndryshojë shumë dhe interesi për qytetin të rritet. Natyrshëm, që ka shumë gjëra që nuk janë bërë. Ka akoma nevojë për punë dhe për këtë duhet mandati i tretë, që këto punë të mira ti çojmë deri në fund”, theksoi Gjiknuri.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, njëkohësisht kandidate për deputete, shprehu bindjen për një rezultat elektoral rekord në 25 Prill.
“Unë jam e bindur që në datë 25, Delvina nuk do të zhgënjejë. Jam e bindur që Delvina e majtë nuk do të zhgënjejë por do të surprizojë. Mbështetjen ndaj Bashkisë, kryetares, e kam treguar dhe do e kem akoma më të fortë. Por mbështetjen më të madhe do ta kemi ndaj qytetarëve, problemeve dhe ankesave të tyre, ndaj zonjave delvinjote që punojnë dhe ia dalin me bizneset e tyre dhe punët e tyre të përditshme, ndaj të rinjve që takuam pak më parë dhe janë plot energji dhe dëshira të cilat jo gjithmonë mund t’i gjejnë të realizuara sepse jo të gjitha mundësitë i jep Delvina”, theksoi Denaj.