Gjykata Administrative ka kthyer mbrapsht kërkesë padinë e Frymës së Re Demokratike të drejtuar nga Sali Shehu për pezullimin e vendimit për largimin nga zyrat pronë e Bashkisë së Tiranës. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, trupi gjykues vlerësoi se padia përmban pasaktësi të mëdha dhe e ktheu atë për plotësim të metash.
Bashkia e Tiranës i ka kërkuar kryetarit të FRD, Sali Shehu, të lirojë katin e tretë të ish selisë së PD, e cila është në pronësi të bashkisë, pas përfundimit të kontratës 4 vjet më parë. Por edhe pse Sali Shehu pretendon se duhet të ketë një zyrë falas, me ikjen e Bamir Topit, FRD nuk plotëson asnjë nga kushtet e mësipërme, pasi tashmë nuk ka as deputet dhe as Presidentin. Bashkia nuk ka më asnjë detyrim t’ ofrojë zyra. FRD nuk është parti me përfaqësim parlamentar dhe nuk ka as 1% të mesatares së votave në tre zgjedhjet e fundit. Ligji nuk e ngarkon Bashkinë e Tiranës të sigurojë seli për partitë që nuk përmbushin këto pika të ligjit.