Presidenti Ilir Meta është shfaqur pak minuta më parë në Shijak. Nga Tirana ku ishte në mëngjes, e më pas në Elbasan, kreu i shtetit ka dhënë pak më parë deklaratë nga fshati Hardhishtas i Shijakut.

Sipas Metës, ai kishte shkuar atje pasi kishte marrë sinjalizime për probleme të vogla teknike, por siguroi qytetarët se dy këshilltarët e tij janë atje dhe do dëgjojnë çdo shqetësim të tyre.

Sipas Metës, i vetmi problem ishin radhët e gjata dhe pjesëmarrja e lartë, për të cilat tha se duhet të shtohen akoma më shumë.

“Për çdo shqetësim që do kenë, këshilltarët e mi janë këtu. Edhe ndërkombvëtarë janë këtu. Jam besimplot që Shijaku do të shkëlqejë dhe do të nxjerri në pah vlerat e bashkëjetesës demokratike. I vetmi problem është se ka radhë të gjata dhe pjesëmarrje të lartë.

Por kjo nuk ka problem, madje duhet të rritet. I ftoj të gjitha forcat politike dhe të gjithë administruesit e këtij procesi që të vazhdojnë në këtë mënyrë. Kjo ditë që nisi kështu e mrekullueshme, kështu duhet të vazhdojë. Edhe nata kështu duhet të vazhdojë, me dritë”, tha Meta ndër të tjera.