Për të gjithë ata që e njohin nga afër, Edona Bilali është modeli i të rinjve të apasionuar me punën dhe profesionin, energjike dhe e dedikuar për të zhvilluar komunitetin e biznesit në vend.

Këto cilësi, Edona, pas eksperiencave disa vjeçare si konsulente e biznesit, kërkon t’i injektojë tanimë edhe në politikën shqiptare.

Dëshirën e saj e bën edhe më të madhe lidhja e fortë shpirtërore me qarkun e Shkodrës, lidhje që siç thotë ajo, ishte edhe arsyeja e fortë pse pranoi ftesën e Kryeministrit Rama, për të kryesuar listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në Shkodër.

“Gjatë karrierës shpesh më është dashur të bashkëpunoj edhe me konkurentët për të arritur qëllime më madhore sesa vetë biznesi, të njëjtën qasje do të kem edhe në politikë: bashkëpunimi me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës në Shkodër. Lidhja me Shkodrën është edhe arsyeja e pranimit të ftesës. Nuk do të kisha pranuar të njëjtën ftesë nëse do të bëhej fjalë për një qark tjetër.”, thotë ajo në një intervistë.

Sipas Bilalit, një mandat i tretë i Partisë Socialiste është i nevojshëm që të vijojë rruga për kthimin e Shkodrës në pozitën ekonomike që ka qënë, kryeqendër e veriut dhe jo vetëm.

Intervista:

1- Përse një e re si ty që i ka krijuar vetes me punë një rrugë të suksesshme në aspektin profesional si konsulente e biznesit, vendos të investohet në politikë?

Edona Bilali: Gjatë 8 viteve të fundit duke punuar si konsulente biznesi janë mbështetur më shumë se 100 biznese në vit dhe shumë të rinj të cilët dëshirojnë të hapin kompanitë e tyre. Kur pa qënë pjesë e politikës kam arritur të disbursoj fonde për një pjesë të mirë të bizneseve, fermerëve dhe të rinjve të qarkut Shkodër, tani besoj fort se do të më jepet mundësia për të bërë shumë më shumë dhe t’u shërbej një numri më të madh qytetarësh të qarkut Shkodër me shumë pasion dhe dedikim.

2- A e bën më të lehtë apo më të vështirë këtë zgjedhje, lidhja jote e fortë me qytetin tënd, me qytetin që kandidon, Shkodrën? Si e ka pritur Shkodra kandidimin tuaj në krye të listës?

Lidhja me Shkodrën është edhe arsyeja e pranimit të ftesës. Nuk do të kisha pranuar të njëjtën ftesë nëse do të bëhej fjalë për një qark tjetër. Gjatë viteve kam konstatuar dhe kam reaguar për shumë fenomene e sisteme që mendoja që mund të ishin ndërtuar më mirë dhe kur mu ofrua mundësia për të realizuar diçka për qytetin tim të lindjes e të zemrës nuk kishte asnjë dilemë. Mendoj që kryesimi i listës përveçse përgjegjësi dhe privilegj është mesazh përfaqësimi për qytetarët e Shkodrës.

3- Cilat janë cilësitë që ju kanë karakterizuar gjatë rrugëtimit profesional që mendoni se mund të jenë vlerë e shtuar në rrugëtimin politik?

Mendoj që fryma e bashkëpunimit është e para. Gjatë karrierës shpesh më është dashur të bashkëpunoj edhe me konkurentët për të arritur qëllime më madhore sesa vetë biznesi, të njëjtën qasje do të kem edhe në politikë: bashkëpunimi me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës në Shkodër. Do ta vazhdoja me këmbënguljen, ka shumë gjëra që mund të përmirësohen por kërkojnë vullnet dhe vendosmëri. Do ta mbyllja me të qënurit e përkushtuar ndaj punës. Besoj tek talenti i lindur por besoj shumë më shumë tek orët e punës mbrapa tij. Gjatë të gjithë karrierës kam punuar të paktën 10 orë në ditë dhe të njëjtin përkushtim do ta kem edhe në politikë.

4- Ju i njihni mirë nevojat dhe sfidat e biznesit në vend. Besoj se komunikimi juaj me këtë komunitet vijon edhe gjatë kësaj fushate. Çfarë presin ata nga një mandat i tretë i partisë socialiste?

Biznesi është shtylla e ekonomisë, është edhe shtylla kryesore e fushatës së bashku me qytetarët dhe target grupet e tjera. Gjatë takimeve me to për hir të vërtetës nuk kam dëgjuar asnjë ankesë sa i përket politikave fiskale. Nga këto politika përfitojnë dhe do të përfitojnë të majtë e të djathtë, 0 tatim fitim për bizneset deri në 14 milion lekë, dalja nga skema e TVSH e bizneseve deri në 10 milion lekë etj. Pritshmëritë e biznesit lidhen me rritjen e mundësive ekonomike në qark dhe përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit, për të cilat siç e kemi parë, Partia Socialiste është maksimalisht e angazhuar.

5- Çfarë besoni se do t’i sillte më shumë Shkodrës dhe qytetarëve të saj një mandat i tretë i Partisë Socialiste në qeveri?

Shkodrës në veçanti i duhet ky mandat sepse rrugëtimi është në mes dhe do të duhet me patjetër që të vazhdojë. Gjatë 8 viteve qeveria shqiptare ka bërë investime në qarkun e Shkodrës dhe rrugëtimi 4 vjeçar do të fokusohet me investime në qytet që kanë një të përbashkët: kthimin e Shkodrës në pozitën ekonomike që ka qënë, kryeqendër e veriut dhe jo vetëm.