Ish-presidenti i Republikes Alfred Moisiu shpreh shqetësim për situatën parazgjedhore në vend dhe i bën apel klasës politike të jenë në lartësinë e detyrës. Në një intervistë për News24, Moisiu tha se partitë nuk mund të dalin mbi shtetin duke krijuar struktura paralele, dhe askush nuk mund të dalë mbi kushtetutën dhe ligjin.

“Si ish President, si qytetar aktiv dhe si një prej jush që jetoni me ndershmëri dhe me shpresën për një Shqipëri më të mirë, dua të shpreh shqetësimin e thellë dhe papajtueshmërinë me klimën e tensionit artificial dhe ta panevojshëm, për incidentet e dhunshme dhe rastet e shkeljes së rregullave demokratike në prag të votimit të 25 prillit.” tha Moisiu, ndërsa komentoi edhe situatën në prag të zgjedhjeve.

“ Është krijuar një klimë tensioni e paparë, dikush thotë të vras, dikush thotë te pres, cfarë po ndodh kështu ne nuk po shkojmë në luftë. Partitë dalin mbi shtetin, s’mund të krijojnë partitë struktura mbi ato shtetërore. Shteti ka strukturat e tij, nëse nuk janë në rregull faji i kujt është? Faji i këtyre politikanëve që bërtasin më shumë. Këta e kanë përgjegjësinë. Duan pushtetin, po s’mund të marrin pushtetin me dhunë. Pushteti merret me votë.” vijoi më tej Moisiu.