Prej 3 ditësh PD bën si e skandalizuar nga një ”database” që i atribuohet Partisë Socialiste, e cila përmban të dhënat e votuesve të Tiranës. Këto nuk janë të dhëna konfidenciale ose sekrete, por të dhëna që në kohën e mediave sociale janë publike dhe të disponueshme për dhjetëra kompani private. Thjesht mendoni për të dhënat personale që çdo qytetar deklaron vullnetarisht në internet sa herë që regjistrohet në një media sociale, si numri i telefonit, fotografi, adresa ku banon, adresa e email, data dhe vendi i lindjes dhe shpesh, edhe numri i kartës së identitetit. Apo të mendoni se për të marrë një numeër telefonik, çdo qytetar dorëzon vullnetarisht kopjen e kartës së tij të indetitetit, adresën ku jeton dhe emailin e tij tek operatori privat i telefonisë celulare. Dhe më pas, të njëjtët numra përfundojnë në duart e partive për të bërë fushata elektorale nëpërmjet sms apo ëhtsapp, përfshirë PD-në që po përdor masivisht këtë metodë propagande.

Por çdo skandal i pretenduar bie pas këtij zbulimi nga Report Tv: database me të dhënat personale të të 3 milion shqiptare shqiptarëve mund të blihet edhe në internet për vetëm 1500 lekë të reja, apo 12 euro. Bëmë një provë, e blemë 12 euro duke paguar përmes sistemit paypal, shkarkuam database, për pak minuta e instaluam në kompjuter dhe përmes kësaj baze të të dhënave kërkuam dhe gjetëm emrin, datën e lindjes, atësi, adresa dhe informacione private të njërit prej gazetarëve tanë. Bëhet fjalë për shumicën e informacioneve që janë edhe tek ”database” që sipas PD përbën një skandal.

Cili zyrtar publik vodhi këtë database dhe e shpërndau në internet? Përgjigja duhet të vijë pikërisht nga PD, sepse database që shitet sot online është ajo e vitit 2008, kur Partia Demokratike ishte në qeveri. Edhe atëherë si sot, regjistri i gjendjes civile ishtë nën kontrollin e Ministrit të Brendshëm dhe në vitin 2008, viti ku referohet databaze e vjedhur, Ministri i Brendshëm ishte Bujar Nishani. Duket e qartë se e njëjta database e cila përfundoi në internet dhe tani është në shitje për 1,500 lekë, u përdor gjithashtu nga Partia Demokratike, si nga gjithë forcat politike, madje edhe nga media. Por asnjë media nuk e ka denoncuar atë si një skandal, të paktën derisa ky fenomen i njohur nga të gjithë, nuk është bërë sot një instrument i fushatës elektorale.

/Shqiptarja.com