Ka ardhur koha që Juve të bëjë diçka si Juve. Të tregojë se është në gjendje të marrë talentin më të madh italian në qarkullim, duke e rrëmbyer atë nga një konkurent direkt, mbase s i transferim falas. A do të kishte një veprim force më të madh se ky për “Zonjën e Vjetër”? Ndoshta jo. Dhe kështu, në “Continassa” kanë vendosur: të nisin kontaktet për blerjen e Gigio Donnarumma.
Ky operacion pothuajse konsiderohet një detyrim. Padyshim, me ndihmën e Mino Raiola, i cili me të vërtetë e ka përfunduar rinovimin e Zlatan Ibrahimovic te Milani, por në kërkesat që ka për portierin e kombëtares italiane nuk tërhiqet asnjë inç mbrapa. Kuqezinjtë, të cilët duan ta mbajnë medoemos “gardianin” e tyre, e kanë rritur deri në 8 milionë euro ofertën, plus bonuse të përfshira.
Shumë pak për Raiola, i cili në Torino e gjeti derën e hapur për të negociuar. Me ofertën bardhezi në xhep u kthye në “Casa Milan”, duke ushtruar presion. Faza e studimit ka mbaruar, lëvizja e Andrea Agnelli dhe Fabio Paratici flet për një propozim që tejkalon 10 milionë euro neto për portierin kuqezi. Negociatat kanë qenë në drejtimin e duhur, parashikojnë edhe komisione të larta, që do t’i jepen superagjentit për “shërbimet”.