Vetëm në shërbimin e Onkologjisë në QSUT mbi 100 gra në vit diganostikohen me kancerin e qafës së mitrës. Ky numër është disa herë më i lartë në nivel kombëtar duke përfshirë diganostikimet në spitalet rajonale. Autoritetet shëndetësore referuar rasteve, thonë se kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë. Pavarësisht se ky tumor është i kurueshëm, fakti që gratë diagnostikohen në stade të avancuara bëhet shkak i vde k jes dhe ky është një fenomen i pranishëm në mbarë botën. Pavarësisht se tumori i qafës së mitrës mund të prekë çdo grua, OBSH thotë se rastet më të shpeshta shfaqen në vendet në zhvillim.

Shkak kryesor i kancerit të qafës së mitrës është infeksioni kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës HPV. Mënyra e transmetimit është ajo përmes rrugëve seksuale. Te shumica e grave dhe burrave që infektohen me këtë virus, këto infeksione mund të zhduken pa patur nevojë për trajtim specifik. Por, rreth 90% e ketyre infeksioneve mund te zhduken brenda 2 vjetëve. Pavarësisht se situata duket e qetë, në fakt ka disa lloje virusesh që kanë rrezik më të lartë duke qënë shkak kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Në vitin 2020, qeveria shqiptare nisi programin kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës nga ku nis kryerja e analizës HPV falas për grate. Kapacitetet janë që testi HPV do të kryhet falas për rreth 16 mijë gra në vit. Kryerja e këtij testimi falas sjell diagnostikimin në fazë të hershme të kancerit me qëllim parandimin e tij.

Duke iu referuar sëmundjeve tumorale, OBSH në raportin e fundit të saj (shkurt 2021) tha se me këto ritme, kanceret do të kenë një rritje prej 81% në dy vitet ardhshme. Në 2018, kishte 18.1 milionë raste dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se në 2040, pritet të ketë 29.4 milionë raste të reja.

Kanceri i qafës së mitrës shfaq shenja klinike, ndaj me rëndësi në këtë drejtim është kapja në stadinin më të hershëm të sëmundjes. UNFPA Albania e angazhuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e shëndetit riprodhues e vë theksin në përfshirjen në komponentët e edukimit të komunitetit, mobilizimit social, vaksinimin, depistimin, trajtimin dhe deri tek kujdesi paliativ. Sipas ekspertëve të shëndetit, programet e depistimit të kancerit të qafës së mitrës mund të parandalojnë deri në 80% të rasteve, dhe së bashku me vaksinën mund të reduktojnë ndjeshëm nivelet e këtij kanceri.

Udhëzimet e UNFPA në Shqipëri synojnë forcimin e sistemit shëndetësor për depistime të tumorit në qafën e mitrës, si edhe ofrimin e shërbimeve për pacientët. Në lidhje me parandalimin, UNFPA në Shqipëri thotë se baza më e mirë për të parandaluar tumoret është edukimi dhe ndërgjegjësimi. Edukimi lidhet me praktikat e sigurta seksuale; përdorimi i kontraceptivëve dhe prezervativëve për të shmangur problemet shëndetësore që vijnë si pasojë e marrëdhënieve të pambrojtura.