Kandidati për deputet i PS në Durrës, Lefter Koka, u shpreh sot në një studio televizive se sa më shumë që koha kalon, aq më tepër mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur.

“Ka vite që kam marrë këtë vendim. Sa më shumë kohët kalojnë, aq më shumë them se kam bërë zgjidhjen e duhur. Kam kërkuar që të kem bashkëpunim me strukturat e partisë ku aderoj, aktualisht po punojmë në PS. Kjo fushatë është e ndryshme, për shkak të pandemisë, por komunikimi është i drejtpërdrejtë dhe më efikas, për rrjedhojë”, tha Koka.

Koka nënvizoi se gjithmonë në karrierën e tij politike, ka menduar për familjet durrsake, për rritjen e mirëqenies së tyre.

“Gjithmonë kam menduar për familjet durrsake. Qytetarët e Durrësit nuk do kthehen mbrapa, por do bëjnë këtë qeveri, që të ecë akoma më shpejt. Mendoj se qytetarët durrsakë dhe shqiptarë janë njerëzit që kërkojnë më pak nga politikanët. Bashkia Durrës dhe qeveria qendrore kanë bërë punë të shkëlqyer për tërmetin. Është bërë punë intensive. Puna e qeverisë shqiptare tashmë ka tetë vjet. Shqipëria e para tetë viteve ishte ajo që dimë, spitalet dikur ishin në kushte të mjerueshme. sot shëndetësia përballoi pandeminë. Kjo vlen që të përshëndetet. Qeveria shqiptare synon që të zbusë polarizimin ekonomik. Për rastin e Durrësit, do ta quaja nga më fatlumët. Në Durrës nis ndërtimi i një porti më të madh në Mesdhe. Do të jetë i frekuentuar nga shumë turistë”, u shpreh Koka.

Kandidati i PS-së për qarkun e Durrësit, Lefter Koka, i renditur i 7 në listë theksoi se këto zgjedhje do të japin një verdikt të madh, për shkak edhe të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Mes të tjerash ai u ndal edhe tek fakti që gjatë fushatës elektorale sulmohet nga rivalët politikë.

“Në mënyrë të padiskutueshme do të ndihesha krenar, pasi çdokush në punën e bërë në jetën e tij analizon. Sa i përket menaxhimit të mbetjeve, siç ndodh rëndom në Shqipëri, ka njerëz që janë në politike për të sulmuar dhe jo për të punuar. Ata gëzohen, eksitohen kur sulmojnë. Siç patë dhe vizitën e kryeministrit, ai park do të jetë shumë shpejt në shërbim të qytetarëve të Durrësit. Pse jam i sulmuar se gjej dot në mënyrë ekzakte. Një fushatë ka të bëjë me komunikimin me qytetarët. Çdokush duhet të japë te qytetarët atë që ka bërë”, tha Koka.

“Qytetarët arrijnë të dallojnë se cila parti bën marrëveshje me qytetarët dhe cila me kryetarët. PS është aleate me qytetarët. Në Durrës gjej një klimë besuese. PS dhe Edi Rama, të gjithë bashkë nuk jemi të përsosur. Nëse marr mbështetjen nga qytetarët do i vlerësoj dhe nëse jo, akoma më shumë. Unë dhe Rama jemi të vendosur, unë jam numri i shtatë dhe ai i teti. Kryeministri Rama ka dëshirë që të qëndrojë deputet në qarkun e Durrësit. Mesazhi vetëm është që qytetarët që të dalin në votime dhe të mos bëhen konfuz për shkak të mënyrës së votimit”, tha Koka.