E para në listën e PS-së në Berat, Hatixhe Konomi, në një takim elektoral në Berat ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, tha se “kandidimi në listën e PS-së është një përgjegjësi shumë e madhe kundrejt Partisë Socialiste, sepse nuk është e lehtë për një sigël si PS, partia më e madhe në vend, më progresiste, më reformatore dhe më solidare”. Ndërkohë, vijoi ajo, “ndiej një përgjegjësi shumë të madhe edhe ndaj qytetarëve të Beratit, se jam e bindur se të gjithë do të na mbështesin në 25 prill, duke na dhuruar 5 mandate për Kuvendin e Shqipërisë”.
“Kalaja e Beratit është atraksioni më i madh turistik në bashkinë e Beratit. Së fundmi ka njohur një transformim shumë të madh që i ka nxjerrë në pah vlerat historike dhe kulturore. Por përveç kalasë, edhe shumë monumente të kulturës apo objekteve të kultit tashmë kanë dalë nga ai rrënim prej shumë vitesh, duke i kthyer ato në një gjerdan të madh vlerash që i shtohen Beratit”, tha Konomi.
Ajo theksoi se, “ky është një nga projektet e shumta që kanë nisur që në vitin 2013, siç është rruga kryesore që lidh bashkinë e Beratit me pjesën tjetër të vendit, pedonalja po ashtu”. “Këto janë investime shumë të rëndësishme në sektorin privat për turizmin. Që prej 2013-ës në Berat kemi pasur një zhvillim shumë të madh në fushën e turizmit duke u rritur vit pas viti me strukturat akomoduese. Viti 2019 ishte viti më i suksesshëm për sa i përket numrit të turistëve në Berat”, tha ajo.
Konomi tha se, “sot Berati është kthyer në kantier ndërtimi. Po të shohim nga bedenat e Kalasë poshtë, e shohim të gjithë si po ndryshon Berati. Ta imagjinojmë se në 2022 panorama e Beratit do jetë krejt ndryshe. Në rast se nuk do të kishim pandeminë edhe sot ne do të kishim mijëra turistë në Berat”. Në përfundim ajo theksoi se “PS është e vetmja parti që mendon për këtë vend, po sjell progresin dhe po lulëzon një bashki si Berati”.