Kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, dhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka vendosur datën për thirrjen e seancës. Në të njëjtën kohë Vjosa Osmani si kandidatja e vetme e propozuar nga Vetëvendosje për presidente, nuk ka një kundër kandidat ashtu siç e kërkon Kushtetuta e Kosovës. Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila ka treguar se për zgjedhjen e Osmanit do të thirret një seancë e jashtëzakonshme por ka mohuar se mund të ndodh gjatë së premtes.

Ajo mohon se seanca nuk po thirret në mungesë të votave. Por ndryshe mendon Arton Demhasaj nga shoqëria civile, sipas të cilit thirrja e seancës po vonohet, pasi VV vazhdon të mos ketë vota të mjaftueshme për votimin e Osmanit. Demhasaj thotë se problem nuk përbën mungesa e një kundër kandidati nga partitë e tjera, pasi VV-ja mund të propozoj dy kandidat për president, sa për të përmbushur kriteret kushtetuese.

Nëse dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, një proces që ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të eliminohet nga kasta politike kosovare.