Varianti britanik i koronavirusit duket se është bërë dominues tani në Kosovë dhe kjo ka detyruar qeverinë të marrë masa për të minimizuar ekspozimin ndaj Covid 19 dhe ngadalësimin e përhapjes së virusit.
Restorantet janë mbyllur, shkollat janë kthyer ‘online’ si edhe janë ndaluar tubimet e shumë personave në një vend Nga nesër, edhe Kosova do të jetë nën masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.
Shërbimet e gastronomisë pezullojnë aktivitetin nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.
Në arsyetimin e qeverisë së Kosovës për masat e reja thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka testuar me 147 mostra pozitive me koronavirus, për detektimin e variantit britanik të koronavirusit dhe atij të Afrikës Jugore. Nga numri total i mostrave të testuara, 97.27 për qind e tyre ishin me variantin britanik dhe asnjë me variantin e Afrikës së Jugut.
Prandaj kjo situatë, ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, sipas qeverisë, kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj Covid 19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme. Qeveria ka vendosur që të gjitha shkollat ti kthehen mësimit ‘online’, ndërsa institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër Covid 19.
Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona. Për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, kërkohet test Covid-i i bërë në 72 orët e fundit, në të kundërt do të karantinohen për shtatë ditë