Kryeministri Rama vizitoi sot ujësjellësin e ri që po ndërtohet në Mançurisht të Korçës, nga i cili përfitojnë rreth 6000 banorë. Kryetari i Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu sqaroi se deri tani janë realizuar 8 kilometra linjë kryesore dhe përbën një nga investimet më të rëndësishme pasi ka rreth 30 vjet që kërkohet një ivestim i tillë.
Ky investim do të përfshijë ndërhyrjen në linjën e jashtme të stacionit të pompimit dhe në linjën e jashtme në Mançurisht, një depo 500 m3 dhe dhomën e manovrimit e atë të klorinimit. Për më tepër përmes këtij projekti do të rikonstruktoret stacioni i pompimit në Mançurisht dhe do të ndërtohet një pusetë komandimi, si dhe do të pajisen 1625 familje me matësa të rinj.
Kryetari i Bashkisë së Maliqit i shpjegoi Kryeministrit shumica e fshatrave si Maliqi kanë tashmë ujë të pijshëm 24 orë në 24, ashtu si edhe në Libonik dhe Symizë, duke shtuar se vijon puna për ta realizuar këtë në fshatrat e tjerë. Rama deklaroi se ky projekt është pjesë e një programi që ka nisur para disa vitesh dhe tani është drejt finalizimit në shumë pika e brenda 2022 të gjitha qendrat urbane do të kenë 24 orë ujë, duke sqaruar se si qendra urbane nuk konsideron vetëm bashkitë e vjetra por edhe komunat më të populluara.