Lipsanet (eshtrat) e Shën Joan Vladimirit janë kthyer sot në manastirin me të njëjtin emër në Elbasan, ndërsa i pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Kryeministri e konsideron këtë “një çast emocionues” në jetën e komunitetit ortodoks të Elbasanit dhe krejt Shqipërisë, ndërsa thotë se një gjë e tillë u arrit falë nxitjes këmbëngulëse të Evis Kushit dhe Taulant Ballës, të dy kandidatë për deputetë në Elbasan.
“Dorëzimi i lipsaneve (eshtrave) të Shën Joan Vladimirit, një çast emocionues në jetën e komunitetit ortodoks të Elbasanit dhe krejt Shqipërisë, falë nxitjes këmbëngulëse të Evisit e Taulantit, në mbështetje të komunitetit e të autoriteteve të Kishës Autoqefale Shqiptare”, thotë Rama.
Ndërkohë, Margariti u shpreh se eshtrat u morën nga fondi muzeor i Muzeut Kombëtar dhe se ka qenë një proces burokratik i vështirë.
“Jemi në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, kemi ardhur për të përfunduar një proces që kishim nisur që është dorëzimi i eshtrave të Shën Joan Vladimirit që zbuluam se ndodheshin në fondin tonë muzeor të Muzeut Kombëtar. Jam mirënjohëse të gjithë atyre që na ndihmuan, ka qenë një proces burokratik i vështirë, por aty ku qëndron vullneti dhe falë edhe mbështetjes së kryeministrit, e kemi përfunduar me skukses”, tha Margariti.