Nga Vora, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Tiranën prezantoi Fidel Yllin kandidatin për deputet të zonës. Veliaj tha se kundërshtarët politikë po bëjnë një fushatë që ushqen frikë dhe jo shpresë. “Kjo e jona është një fushatë që ushqen shpresë dhe flet për punë të mira, shpresë për të shpëtuar nga pandemia me vaksinat, shpresë për të shpëtuar nga të gjitha pasojat e tërmetit me rindërtimin, shpresë për më shumë drejtësi. Po punohet kudo, po punohet non stop në Kamzë, po punohet non stop në Rrogozhinë, non stop në Kavajë, non stop në Bashkinë e madhe të Tiranës. Dhe kjo kontraston me një fushatë tjetër që ushqen vetëm frikë, frikë nga vaksina, frikë që rindërtimi. Ne jemi fokusuar tek shpëtimi i jetës së njerëzve, ata e kanë fokusuar tek infektimi masiv i njerëzve”, u shpreh Veliaj.

Ndërsa kandidati për deputet, i 15-i në listë, Fidel Ylli tha se në Vorë po ndërtohen disa shkolla të reja me kushte moderne, teksa tha se Vora do të shndërrohet në një qytezë evropiane ku të gjithë do të duan të jetojnë atje.
“E gjithë Vora do të rindërtohet me pallate që do të jenë moderne, bashkëkohore dhe shumë shpejt do të bëhet një qytezë europiane. Besoj që edhe nga Tirana do të vijnë për të prenotuar shtëpi në Vorë. Nëpër fshatrat e Vorës janë ndërtuar disa shkolla, si shkolla e Marikajt, kopshti në Muçaj. Do të bëjmë dhe gjimnazin e Vorës, dhe disa shkolla të tjera 9-vjeçare në të gjithë bashkinë e Vorës që t’i japim një akses shumë të mirë gjithë banorëve, në mënyrë që të jenë disa shkolla moderne”, sqaroi Ylli. Për sa i përket projekteve për sportin, Ylli premtoi se në Vorë do të ndërtohen disa hapësira sportive.

“Ne do bëjmë edhe një fushë. Aktualisht është një repart ushtarak në Domje. Dhe dy fusha të tjera që të rinjtë të kenë mundësi që mos rrinë pranë kafeneve, pranë klubeve, pranë bilardove, por të kenë mundësi të merren me aktivitet fizik, se aktiviteti fizik është kulturë. Mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë”, nënvizoi Ylli. Në fund kryebashkiaku Veliaj dha lajmin e mirë se ka dalë fituesi i hekurudhës, linja Tiranë-Vorë-Rinas dhe Tiranë-Vorë-Durrës. “Lajmi i mirë është që ka dalë fituesi i hekurudhës pra i linjës së trenit që është Tiranë-Vorë-Rinas dhe Tiranë-Vorë-Durrës. Vora nuk do jetë më transit, po ardhja e një stacioni. Pra ardhja e një bypass-i hekurudhor do ta kthejë në një qendër logjistike apo të shkëmbimit të pasagjerëve Vorën me linjën e re hekurudhore”, bëri me dije Veliaj.