Nga Skënder Minxhozi/ E provokuan dhe ajo foli. Jo një por dy herë, si për të na treguar sesa pak i kishte pëlqyer, që e rreshtuan “me dhunë” në llogoret elektorale të 25 prillit.
Reagimi i ambasadores amerikane Yuri Kim ndaj keqinterpretimit të intervistës së saj në radio-televizionin publik, lidhur me nevojën e ndryshimit që duhet të vijë me votë, ishte një ndër ata bumerangë që një pjesë e medias dhe analistëve i kanë marrë shpesh në fytyrë këto vite, sa herë janë përpjekur të dekriptojnë se me cilën palë ndjehet më mirë administrata amerikane.
Afrimi i ditës së zgjedhjeve dhe afërsia në sondazhe, po e bëjnë jo vetëm të ethshme garën elektorale, por po i kthen projektorët në mënyrë instiktive drejt pozicionit të SHBA e BE në lidhje me rezultatin final. Një rezultat që do provokojë, siç bien të gjithë dakord, sherre e tension me shumicë.
Insistimi i medias opozitare për rreshtimin e supozuar të SHBA në krah të Bashës, zbulon një nerv të zbuluar të opozitës në raport me amerikanët. Dhe ky insistim i fundit për intervistën e Kim ka prodhuar një situatë cilësisht të re, me material të vjetër. Një nga ato gjendje ku gjithçka duket sikur kthehet përmbys, e nuk ka më vlerë, teksa ke kujtuar se ke bërë për vete shtetin që e ke pasur tradicionalisht kundër vitet e fundit.
Pas daljes së nervozuar dy herë rresht të ambasadores kundër keqpërdorimit të deklaratave të saj, shtyhesh të besosh se jo vetëm që Kim është revoltuar me aludimet elektorale që ju veshën fjalëve të saj, por edhe se ajo shfaq mes rreshtave irritimin e atij që nuk ka ndryshuar mendje, teksa sheh se të tjerët thonë se e ka bërë këtë. E këtu analiza mund të rifillojë nga e para.
Pa u shtyrë në të tjera aludime për sa më sipër (që mund ta nxirrnin sërish ambasadoren në të tjera reagime publike), le të themi se me mesazhet e 24 orëve të fundit kemi mjaftueshëm prova dhe material, për të besuar se SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me palët në Shqipëri. Secili t’i bëjë vetë llogaritë se ku e gjen veten. Material ka boll në internet në lidhje me këtë temë…