Durrës, 15 Prill: Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 deklaroi se procesi i vaksinimit po ecën me ritëm të lartë dhe se sot pritet të arrihen mbi 300 mijë vaksinime

“Kemi fushatë intensitve, ashtu sikurse qytetarët e dinë që prej 28 marsit, kemi filluar herët për të tjerët që në janar. Dihet Shqipëria ishte ndër vendet e dyta në Ballkan, përveç Serbisë që nisi, kemi shkuar tashmë tek fasha +60, kemi përfunduar grupmoshat +80 dhe +70. Besojme se ditën e sotme arrijmë në 300 mijë vaksinime. Deri në fund të majit 500 mijë”, tha Manastirliu.

Duke i’u përgjigjur pyetjes për lehtësimin e sezonit turistik Manastirliu tha se këtë fundjave do të nisë vaksinimi i stafeve të operatorëve turistike.

“Ne duam që sezoni turistik të jetë i lehtësuar nga masat, por ne do vijojmë të krijojmë bazat për të vaksinuar të gjithë punonjësit e sistemit të hotelerizmit, në mënyrë që të kemi një sistem sa më të mbrojtur. Kemi një plan konkret me këtë, ne duam ta fillojmë që këtë fundjavë, për të vijuar me vaksinimin masiv të të gjithë atyre që shërbejnë në hoteleri” bëri me dije Manastirliu.

E pyetur për kandidimin me numër 4 në Tiranë në Njesinë 9, Manastirliu tha: “Është nder të jesh përfaqësuese e popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Unë kandidoj për herë të dytë në Qarkun Tiranë. PS vjen me një program të qartë, me një agjendë të konsoliduar të Shqipërisë 2020-2030. Vjen me një plan të qartë, i cili konsolidon bazat për të gjitha reformat e nisura. Ne do të vijojmë me programin e vaksinimit masiv të popullatës. Do vijojmë të transformojmë sistemin shëndetësor, të finalizojmë programin e rindërtimit për të shëruar të gjitha plagët e tërmetit, të krijojmë më shumë mirëqenie për qytetarët”, tha Manastirliu.