Nga Endri Kajsiu/ Ilir Meta, që mban pozicionin e Presidentit të Republikës, ka deklaruar edhe mbrëmë në një studio televizive, siç kishtë bërë disa herë më parë në daljet e tij se ai do të vazhdojë të qëndrojë larg zyrës së tij në Tiranë, por do të vazhdojë të bëjë fushatë në Vlorë.

Është e dukshme që Ilir Metën e kanë shqetësuar shumë sondazhet dhe terreni që tregojnë se LSI po shkon pikiatë, ndaj edhe ka vendosur të dalë në fushëbetejë vetë duke braktisur detyrën e Presidentit. Por, kjo histori është një fakt i gjithëditur nga çdo shqiptar, pavarsisht përgënjeshtrimit apo justifikimit qesharak që përdor Meta për kërë skandal e çmenduri të radhës.

Përtej kësaj çmendurie që Ilir Meta bën duke dalë në fushatë kur duhet të jetë mbi palët dhe simbol i Unitetit Kombëtar në cilësinë e Presidentit, ka edhe disa pyetje të cilave Ilir Meta nuk i është përgjigjur akoma. Më çfarë lekësh qëndron Ilir Meta në Vlorë? Me çfarë parashë paguhet karburanti, me çfarë makinash udhëton? Po stafi i tij që merr rrogën në Presidencë, paguhet për të qëndruar në Vlorë në fushatën e shefit apo në institucion?

Përgjigjet logjike janë dy: E para, janë paratë publike që Ilir Meta i përdor për të bërë fushatë për LSI-në në Vlorë, bashkë me stafin e Presidencës që paguhen nga taksat tona dhe bëjnë fushatë për bashkëshorten e shefit dhe e dyta, mund të jenë para të padeklaruara që janë ‘donacione’ nga persona të paidentifikuar. Edhe nëse është e dyta, stafi dhe presidenti kanë braktisur detyrën dhe zyrën për të cilën paguhen.

Në të dyja rastet, Ilir Meta është me të dyja këmbët në shkelje. E mjafton vetëm kjo për të thënë se Ilir Meta është i fundit që mund të flasë për ndershmërinë, zbatimin e ligjit apo shfrytëzimin e resurseve shtëtëtore për fushatë elektorale.