Vijojnë hetimet dhe dëshmitë për çështjen e provimit farsë të Luis Suarez, ku janë implikuar drejtuesit më të lartë të klubit të Juventusit.
Sot, në mediat italiane është zbardhur dëshmia e Ivan Zaldua, menaxher i sulmuesit uruguaian.
Ai e ka qitur në pozitë të keqe presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli, i cili deklaroi se nuk ka pasur dijeni për ecurinë e negociatave.
Zaldua thotë se ishte finalizuar gjithçka dhe palët ishin marrë vesh për një kontratë dy vjeçare.
“Drejtori i Juventusit, Fabio Paratici ka kontaktuar personalisht me Suarez dhe më pas edhe me mua, për të ecur përpara me negociatat. Gjithçka nisi më 29 gusht dhe më pas kemi pasur shumë biseda me Paraticin. Kishim arritur marrëveshjen për pagën dhe bonuset, për një kontratë 2-vjeçare, që mund të prishej edhe pas vitit të parë kundrejt një bonusi prej një milionë eurosh. Më pas Juventusi bëri llogaritë me faktin që Suarez nuk ka pasaportën italiane dhe ndonëse sulmuesi u tregua i gatshëm të japë provimin, bardhezinjtë nuk besonin se gjithçka mund të arrihej në kohë dhe vendosën të tërhiqen”, ka thënë menaxheri i Suarez.
Pak ditë më parë u zbulua edhe dëshmia e Andrea Agnellit, që kishte thënë versionin e tij në prokurorinë e Perugias dhe ku pretendonte se nuk kishte dijeni për ecurinë e negociatave, pasi drejtuesit thjesht e kishin njoftuar që po punonin për afrimin e Suarez, por pa i dhënë detaje të tjera.
Luis Suarez iu nënshtrua provimit të gjuhës italianë në Universitetin për të Huajt në Perugia verën e kaluar, me qëllim marrjen e pasaportës italiane, megjithatë një hetim i Guardia di Finanza-s nxori në pah se gjithçka ishte një farsë dhe se sulmuesi italian i dinte pyetjet para se të udhëtonte drejt qytetit italian.
Në fund, Suarez përfundoi në Atletico Madrid. Ai numëron 33 paraqitje me Atleticon, ka shënuar 19 gola dhe ka dhuruar dy asiste.