Në një studim të kryer me 230,000 pacientë, kryesisht amerikanë, ka dalë se një prej tre të mbijetuarve të koronavirusit janë diagnostikuar me çrregullime të trurit apo probleme tjera psikiatrike brenda gjashtë muajve që kanë tejkaluar koronavirusin, çka nënkupton se pandemia mund të çojë drejt një vale të problemeve mendore dhe neurologjike, kanë vlerësuar disa shkencëtarë.
Hulumtuesit, që kanë kryer studimin, kanë thënë se ende nuk është e qartë sesi virusi është i lidhur me çështjet psikiatrike sikurse ankthi dhe depresioni, mirëpo këto kanë qenë diagnozat më të shpeshta në mesin e 14 çrregullimeve që kanë parë.
Problemet me kujtesë pas tejkalimit të COVID-19-Pacientët që kanë tejkaluar koronavirusin dhe janë përballur me sulme, harresë dhe çrregullime tjera neurologjike, kanë qenë më të paktë në numër, mirëpo shifra sërish ka qenë e konsiderueshme, sidomos te ata që kanë pasur simptoma të rënda të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
“Ndonëse rreziqet individuale për shumicën e çrregullimeve janë të vogla, efekti në nivel të popullsisë mund të jetë substancial”, ka thënë Paul Harrison, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Oksfordit, që ka bashkëudhëhequr studimin.
Max Taquet, po ashtu psikiatër në Oksford, që ka punuar me Harrisonin, ka theksuar se studimi nuk ka arritur të analizojë mekanizmat e përfshirë biologjikë dhe ata psikologjikë, mirëpo ka thënë se duhet nisur kërkime urgjente për të identifikuar këta faktorë “me qëllim të parandalimit apo trajtimit të tyre”.
Ekspertët shëndetësorë janë tejet të shqetësuar nga të dhënat për rreziqe në rritje nga çrregullimet mendore, në mesin e të mbijetuarve të COVID-19. Një studim paraprak, nga të njëjtit hulumtues, ka gjetur vitin e kaluar se 20 për qind e të mbijetuarve të COVID-19 janë diagnostikuar me çrregullime psikiatrike brenda tre muajve.
Mbani maskat: Një vaksinë mund të mos i jap fund krizës me koronavirus
Studimi i ri, i publikuar në revistën kërkimore Lancet Psychiatry, ka analizuar gjendjet shëndetësore të 236,379 pacientëve me COVID-19, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, prej nga është kuptuar se 34 për qind e tyre kanë qenë të diagnostikuar me sëmundje neurologjike apo mendore në gjashtë muajt e parë.
Çrregullimet kanë qenë më të zakonshme te pacientët me COVID-19, sesa te grupet që janë shëruar nga gripi sezonal apo probleme tjera të frymëmarrjes në periudhën e njëjtë, kanë thënë shkencëtarët, duke sugjeruar se COVID-19 ka pasur ndikim më specifik.
Ankthi me 17 për qind dhe çrregullimet në disponim me 14 për qind, kanë qenë më të zakonshmet, dhe nuk kanë pasur shumë të bëjnë me atë sesa të rënda kanë qenë simptomat e COVID-19.
Në mesin e tyre që janë trajtuar në departamentet e kujdesit intensiv me simptoma të rënda të koronavirusit, 7 për qind kanë pasur sulme brenda gjashtë muajve pasi janë shëruar, dhe gati 2 për qind janë diagnostikuar me probleme të harresës. Burrat kërkojnë ndihmë psikologjike më shumë se gratë gjatë pandemisë
Ekspertët e pavarur kanë thënë se gjetjet janë tejet shqetësuese.
“Ky është hulumtim shumë i rëndësishëm. Përtej të gjitha dyshimeve të arsyeshme e konfirmon se COVID-19 prek si trurin, ashtu edhe gjendjen mendore”, ka thënë Simon Wessey, udhëheqës i psikiatrisë në Kolegjin King të Londrës.
“Ndikimi që ka COVID-19 në shëndetin mendor të individëve mund të jetë i rëndë”, ka thënë Lea Milligan, shefe ekzekutive në shoqatën kërkimore MQ Mental Health. “Kjo gjë po kontribuon në nivelet edhe ashtu në rritje të problemeve mendore dhe kërkon studime tjera urgjente”./REL