Humbja e nuhatjes është një nga simptomat kryesore pas infektimit me koronavirus, shpesh e shoqëruar me ethe dhe një kollë të vazhdueshme. Në shumicën e rasteve, humbja e nuhatjes kthehet relativisht shpejt pasi qytetarët shërohen nga sëmundja.

Por sipas studimeve, rreth një në pesë persona raportojnë se vuajnë ende nga probleme me nuhatjen tetë javë pasi u sëmurën. Sipas BBC-së, studiuesit tani po bëjnë thirrje që njerëzit të përpiqen ta rikthejnë nuhatjen përmes “trajnimit të saj” sesa të trajtohen me medikamente që përmbajnë hormone.

Ky është një proces që përfshin nuhatjen e aromave të ndryshme për një periudhë disa mujore për të rikualifikuar trurin për të njohur erëra të ndryshme. Një grup ekspertësh ndërkombëtarë thonë se trajnimi për nuhatjen është i lirë dhe i thjeshtë.

Në disa raste mjekët kanë përshkruar receta me ilaçe të njohura si kortikosteroide, të cilat ulin inflamacionin në trup dhe përdoren tashmë për të trajtuar gjendje të tilla si astma.

Por Prof. Carl Philpott, nga Universiteti i Mjekësisë Norwich në Anglinë Lindore, i cili ishte pjesë e ekipit që shqyrtonte provat aktuale, tha se kishte shumë pak prova që do të çonin në sugjerimin që përdorimi i kortikosteroideve do të ndihmonin në humbjen e nuhatjes.

“Dhe për shkak se ato kanë efekte anësore të mundshme që njihen, këshilla jonë është që ato nuk duhet të përshkruhen si një trajtim për humbjen e nuhatjes post-covid”, tha ai.

“Për fat të mirë shumica e njerëzve që përjetojnë humbje të nuhatjes si rezultat i infektimit me Covid-19 do ta rifitojnë atë në mënyrë spontane.”