Nga Pandeli Bardhi
Fushata zgjedhore e sivjetme, i ngjan më shumë një fushe beteje, ku do të vendoset fati i “luftës” së ushtrive kundërshtare. Fushata përgatitore për këtë “luftë” ka qenë me gjata në historinë e “luftërave” parazgjedhore jo vetën gjatë këtyre tridhjetë viteve, por edhe shumë më herët për të mos thënë qysh nga koha e Cezarit!
Edhe Komandanti i Përgjithshëm, e “braktisi” Vendkomandën e tij Presidencë, ngjeshi armët në brez dhe vetëtimthi u turr drejt Vlorës, atje ku “e presin” “burra pushke”! Nuk i rihet pa dëgjuar krisma armësh, si paraardhësi i tij që bënte thirrje “i bëj thirrje popullit shqiptar të armatosen për të mbrojtur pronën e tyre”! Komandanti i Përgjithshëm aktual, niset kështu për të mbrojtur tashmë jo pronën, por votën sipas parimit të tij “kush shet votën, shet motrën, shet dinjitetin”!
Mbas njëqind e një vitesh, Komandanti, ecën në gjurmët ku ecën të parët e tij çeta e Skraparit dhe jo vetëm një çetë, por dy e tre të tilla që kapërcyen dhjetëra male e dhjetra përrenj për të shkuar në ndihmë të kolegëve të tyre në Luftën e Vlorës! Vlonjatët atëherë luftonin për të hedhur në det pushtuesin, sot do të luftojnë për të “hedhur në det”, ata që shesin votën dhe këta do t’i zbulojë Komandanti i Përgjithshëm, që edhe ai, të mos rrijë kot, por të merret me një punë…
Në luftë për arritjen e fitores apo për të marrë pushtetin kundërshtarët bëjnë hulumtime, hamendësojnë, japin e marrin për mënyrat e luftimit, manovrat që do të përdorin se cila do të jetë më efikase etj. etj.
Serioziteti i kësaj “përleshje të tmerrshme” midis dy forcave kundërshtare, duket qysh kur Komandanti i Përgjithshëm, “braktisi” edhe “vendkomandën” e tij, atje ku merren vendimet strategjike!
Ai, ngjeshi pajimet luftarake, vendosi helmetën në kokë, mbasi si për dreq edhe natën i del në ëndërr Alende, mori kundërgazin për t’u mbrojtur nga LHL që kanë “pushtuar” tërë rruzullin dhe u nis. Ku shkoi? Shkoi atje ku do të “luftojë” me kundërshtarin e tij, por jo trup me trup, por me hijen e tij apo me siluetën që i shfaqet përpara syve, ditën e natën…
Nga “vendkomanda ” e tij u nis si personazhi i Alfons Dodesë “tek Tartarini i Taraskonit, i cili deklaronte para fshatit se do të nisej e do të vriste tërë kafshët e pyllit. Fshatarët e nisnin me duartrokitje dhe mbas disa ditësh, kthehej kokëvarur mbi gomar. Të shohim “Tartarini” jonë si do të kthehet, por siç flitet, do të kthehet me lavdi.
Nuk harroi të merrte edhe kasafortën me dekorata… Këto janë “armët” e tij kryesore sepse vetëm me anën e tyre ai do të bëjë për vete ndonjë simpatizant për të “mjekuar” “kokallat” e “Rosinantit” të tij LSI, që po i mbeten rrugëve të “paasfaltuara” nga Rama, siç është ajo e Selenicës. Edhe kjo rrugë, sikurse ajo “uji i ftohtë” Orikum, janë një arsye më shumë që ai shkoi pikërisht në Vlorë që, jo vetëm të sigurojë portin e saj, e të vrojtojë me vigjilencë Detashmentet dhe konvojet e anijeve të “armiqve” në Mesokanal, por edhe të shohë rrugët e “lëna rrugëve” nga Rama.
“Arma” më e preferuar e tij nga të gjitha pajimet, nuk ishte pushka, as kundërgazi për t’u mbrojtur nga lëndët helmuese luftarake dhe infeksioni që kemi nëpër këmbë, por dekoratat, të cilat këto, sipas tij do të bëjnë të mundur të sigurojnë ndonjë votë “të ndershme”për LSI-në, në këto kohë që po i humbet edhe emri. Por partia, është fajtore e “pafajshme” sepse fajtorët e vërtetë të korruptuar janë në drejtim dhe janë këta që kërkojnë të “flakin qeverinë Rama, si qeveria më e korruptuar” sipas Monikës.
Dritaret e “Vendkomandës” i la hapur dhe nuk mori as “Rregulloren e luftimit me armët e këmbësorisë” apo Kushtetutën, si e quan ai, duke e lënë këtë në dorën e Nishanit, mbasi vetëm ai ka të drejtë të mbajë çelësat e “vendkomandës” me përjashtim të kasafortës me dekorata sepse kush e di, ai dekoron ndonjë “ballist” që nuk e meriton dhe hap ndonjë “front lufte” të panevojshëm dhe hajde e përballoje me forca të pakta!
Në bazë të Artit Ushtarak, armiqtë e jashtëm për të realizuar pushtimin e një vendi sovran, më parë do të synojnë të “pushtojnë” aerodromet dhe portet detare, në mënyrë që jo vetëm t’i gjejë kundërshtarët në befasi, por edhe të ndërpresin çdo lloj ndihme që mund të vijë nga ndërkombëtarët, nga ndonjë vend mik siç ishte ndihma që do të vinte dikur edhe duke kapërcyer “Mijëra male e qindra lumenj” larg. Komandanti, duke e njohur mirë këtë paragraf të Artit Ushtarak, mendoi që të bëjë një provë nëse mund të bllokojë fluturimet e avionëve nga jashtë brenda dhe anasjelltas apo jo.
Sipas tij, njërin objektiv, e siguroi që “armiqve” ua dogji planet e tyre në rast se ata kishin ndërmend të na sulmonin duke zbarkuar desantë nga ajri. Po cilat ishin arsyet që “armiqtë” e jashtëm kishin përgatitur sulmin e tyre ndaj një vendi që asnjëherë nuk ka sulmuar të tjerët, që ka parë punën e tij dhe nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të të tjerëve? Nga informacionet dhe kabllogramet që i kishte paraqitur këshilltari i tij Shikas, thuhej sikur ndërkombëtarët, ishin shumë të revoltuar pikërisht nga sulmet e herëpashershme të Komandantit të Përgjithshëm vitin e kaluar. I sulmoi ata duke iu thënë që të mos “futnin hundët në punët tona të brendshme sepse do ta pësonin keq”! “Armiqtë” shtrënguan dhëmbët, por u vetëpërmbajtën edhe kur Komandanti disa ambasadorë i akuzoi si “shërbëtorë të Ramës dhe sabotatorë të reformës në drejtësi”!
Të gjitha këto ata i “gëlltitën”, por akuza e fundit, nuk mund të tolerohej më dhe të dhënat, flisnin për një agresion të mundshëm jo vetëm nga një vend “armik”, por nga disa vende njëherësh. Po çfarë kishte deklaruar Komandanti i Përgjithshëm ndaj ndërkombëtarëve?
Ja, “në qoftë se “armiqtë e jashtëm” do të ndërhyjnë dhe do të përpiqen të manipulojnë procesin e votimit me synimin që të mos zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, ata që do të kapen, do t’u priten këmbët dhe veshët, kurse atyre kundërshtarëve brenda vendit, do t’u pritet krahu si në mesjetë”! Kjo deklaratë i nervozoi ata së tepërmi që Komandanti i Përgjithshëm ua dogji “kartat në duar” dhe ua prishi planet…
Por ky plan, i dështoi dhe nuk eci sipas parashikimeve. Në të njëjtën kohë, ajo çka e revoltoi edhe më shumë Komandantin e Përgjithshëm, ishte ajo që në kohën që ai bllokoi fluturimet në aeroportin e Rinasit, për të bërë të mundur që ai të mos shfrytëzohej nga “armiqtë”, kundërshtari i tij, bën të kundërtën, ai, thirri pikërisht “armiqtë” në ndihmë të kontrollorëve të aeroportit.
Po kësaj ç’i thonë”? Njëri ua “pret” veshët armiqve”, tjetri ua “fërkon kokën” dhe i thërret në ndihmë si miq! Një nga një po i “shpartallon” grushtet e shtetit! E shpartalloi me sukses “grushtin e shtetit” që i bëri një polic pensionist dhe tani, frymën e mban në Vlorë për të mposhtur ndonjë “grusht shteti” të mundshëm. Në intervalet e pushimit gjen kohë dhe shkon të ankohet tek Fevziu, që një pensionist LSI-st, e kanë gjobitur 50 milionë lekë.
I ankohet Fevzos mbasi ky, mban në dorë një shkop dhe mund t’ia drejtojë Ramës. Por Fevzua, nga ana e tij bën “gallatë”! “Po mirë more President, juve jeni kreu i shtetit, kujt i ankoheni”!
“Ju ankohem Fevzo sepse Rama ka përqëndruar të tëra pushtetet në dorën e tij, vetëm juve mund të me ndihmoni, një drejtësi të kapur dhe të vetmit që kemi mbetur të “pakapur” jam unë si President dhe populli. I gjithë populli, nuk mund të vijë këtu dhe më dërguan mua”!
Gazetarëve të tjerë u hakërrohet: “Ohuu, muhabete kot tani merreni me dekoratat që jap unë, është e drejta ime si president ajo, ç’ju hyn në punë juve kam dhënë apo nuk kam dhënë një mijë dekorata? Dekoratat janë “këmbora” ime e vetme dhe unë do ta tund atë sepse nuk kam tjetër punë, as kompetencë. Rama i ka marrë të tëra pushtetet.
Unë ju jap fjalën që do ta varr atë që do të kap duke vjedhur votën”! Një tjetër formë ekzekutimi kjo përveç asaj së prerjes së krahut si në Mesjetë, tani masat po ashpërsohen, me varje!
Deri tani kam zbuluar një të moshuar që kishte një muaj e gjysmë që ishte ndarë nga jeta dhe të afërmit më erdhën mua për t’u ankuar, të tjerët i thanë “Pse shkuat tek Presidenti? Ç’të bëj unë, mua më kanë rënë në pjesë të gjitha.
Vetëm Blushi më ka mbetur dhe më prezanton si “krenaria e Skraparit” megjithëse e kam lënë në “ditë të hallit”, as Çim Peka si mik i vjetër nuk po më qëndron pranë! Vetëm unë dhe populli kemi mbetur më të ndershmit. Jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Ne do të shpëtojmë demokracinë”. “Po si do konstatoni juve si President manipulimin e votës”, e pyet Fevzo.
“Mua do të ma thotë populli, ai nuk manipulohet. Vetëm tek unë ka besim populli dhe do të m’i thotë të gjitha! Shumëkush mendoi që Komandanti do të bënte një “mësim tregues” se si mund t’i “pritej krahu” një shitblerësi votash, se si mund të “varej” ai në mes të sheshit. Por, ah, ai që pritej të bëhej “shembull” sipas Presidentit, doli nga “kampi” i tij.
Tek ia përmendin, zgurdullon sytë dhe kërcen përpjetë: “Të varret! Rama i ka të gjitha pushtetet dhe strukturat”! “Jam gati që të sakrifikoj edhe fëmijët e mi si ata të Adem Jasharit për Shqipërinë, që nuk e krahasoj me asgjë tjetër” tha midis të tjerave.
Edhe mund të besohet kjo, po të mendosh që ata janë “ngujuar” në një “kamp përqendrimi” të largët, në pritje për t’u “flijuar” për Shqipërinë.
Nuk u vetëflijua Presidenti si Alende dhe “lavdi Zotit që nuk e bëri këtë” sepse do të na linte rrugëve të botës. Nuk mund të gjesh president tjetër në botë që të “flijohet” vetë” të “sakrifikojë fëmijët” për Shqipërinë, nuk hipi mbi “tankun e Ramës” si Vojo Kushi, nuk i ngjau as Mic Sokolit apo Isa Boletinit.
Të shohim a do t’i ngjajë tani Adem Jasharit?! Më shumë se presim me ankth rezultatet e votimit, presim lajmet e reja nga Vlora…