Fier, 21 Prill – Është inaguruar sot Spitali Memorial Rajonal i Fierit, një investim i qeverisë së Republikës së Turqisë, i cili përfundoi brenda 3 muajve. Të pranishëm në ceremoni ishin Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Turqisë Fahrettin Koca dhe në lidhje direkte nga Turqia, Presidenti Rexhep Taip Erdogan.
Duke vlerësuar ndihmën bujare të Turqisë mike, Ministrja Manastirliu u shpreh se në këtë spital do të zbatohet modeli i parë i autonomisë spitalore.
“Në këtë spital do të vendosim atë çfarë kemi thënë dhe do ta bëjmë, modelin e autonomisë spitalore. Një model i cili do të mundësohet në këtë qendër ekselence e do të eksportohet më pas në të gjithë spitalet e vendit tonë”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë tha se ky spital nuk do t’i shërbejë vetëm rajonit të jugut, por gjithë qytetarëve shqiptarë për shërbime të ekselencës. “Jemi të bindur që me marrjen në dorëzim të kësaj vepre të madhe, me përfundimin e pajisjes me aparatura të teknologjisë së lartë do të jetë shumë e afërt dita, kur ne këtë spital do ta hapim dyert dhe do të ofrojmë shërbime për qytetarët shqiptarë. Dhe do t’i shërbejë jo vetëm rajonit të jugut, por për shërbime të ekselencës, do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Manastirliu.
Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se do të punohet përditë për fazën e re të reformës në shëndetësisë, për jetësimin e autonomisë spitalore. “Këtu do të punohet përditë për fazën e re të reformës tonë në shëndetësi, që nënkupton jetësimin e autonomisë spitalore dhe zbatimin në praktikë të atij modeli që e ka bërë shëndetësinë në Turqi një sektor ekselence. Kjo fazë e re do t’iu japë fund atyre bishtave që vazhdojnë zgjaten nga e kaluara në shërbimin tonë. Sot ne kemi infrastrukturën të rindërtuar plotësisht, sot kemi shëndetësi të cilës nuk i mungojnë pajisjet dhe as burimet njerëzore, dhe tani modeli i ri i menaxhimit do të na çojë në atë modernizim 360 gradë të sistemit, që do t’i bëjë qytetarët shqiptarë të ndihen krenar kur hyjnë në spitale”, tha Rama. Në një lidhje direkte nga Turqia, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se spitali i ri është një simbol i miqësisë mes dy vendeve. “Spitali Rajonal në Fier është investim i rëndësishëm i Turqisë. Spitali ka kushte moderne. Do vazhdojmë t’i shërbejmë Shqipërisë. Uroj që ky spital i miqësisë, të shpërndajë sa më shumë mirësi për vëllezërit shqiptarë”, deklaroi Erdogan.
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, dr. Fahrettin Koca, i pranishëm në ceremoni, tha se ky spital do t’u shërbejë të gjithë shqiptarë por në një kohë të mëvonshme, mund të jetë një derë për të kuruar të sëmurët nga gjithë Ballkani. “Ky spital do të funksionojë me modelin të cilin ne kemi filluar ta zbatojmë që në vitin 2002. Unë besoj që Spitali i Fierit, i miqësisë shqiptaro-turke, me pajisjet e tij moderne, në fillim fare do të jetë në shërbim të të gjithë shqiptarëve, por më pas për të gjithë Ballkanin, do të jetë derë për të kuruar të sëmurët”. Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë Rajonin e Jugut, me një kapacitet 150 shtretër. Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardio-vaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë, etj.