Kur Agjencia Europiane e Barnave (EMA) pranoi se ekzistonte një lidhje midis vaksinës së AstraZeneca dhe një lloji të rrallë të mpiksjes së gjakut, një dozë tjetër skepticizmi përfshiu gjithë kontinentin. Por në lindjen e varfër, dyshimet janë ngritur më shumë mbi pretendimet e studiuesve apo EMA-s sesa vetë vaksinën.
Shumica e anëtarëve perëndimorë të Bashkimit Europian njoftuan disa kufizime në përdorimin e vaksinës për grup moshat më të reja ose ndaluan atë plotësisht. E kundërta ndodhi në lindjen e kontinentit, me nëntë nga 11 kombet në rajon që vendosën të vazhdonin t’u jepnin vaksinën të gjithë grup moshave.
“Le të mos krijojmë panik të panevojshëm,” tha Ministri Bullgar i Shëndetësisë Kostadin Angelov ndërsa renditi përfitimet e vaksinën së AstraZeneca. “Le të mos bëhemi pjesë e kësaj lufte tregtare midis kompanive të ndryshme, sepse ajo tashmë është e dukshme.”
Ish blloku Lindor po lufton për të zbutur pandeminë. Për këto vende, të cilat dominojnë listën e 10 vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi, frenimi i një vaksine është e paimagjinueshme sepse nuk kanë mundësi të ngadalësojnë vaksinimin.
Bota po mbështet përdorimin e AstraZeneca për shkak të çmimit dhe lehtësisë së përdorimit, dhe përfaqëson shumicën e vaksinave të porositura nga rreth një e treta e anëtarëve lindorë të BE-së. Vaksina transportohet dhe ruhet më lehtë sesa vaksinat e bazuara në mARN dhe kompania anglo-suedeze ka premtuar t’i japë deri në 3 miliardë doza nismës Covax në mënyre që ajo t’u shpërndahet vendeve të varfra.
Hungaria, e cila bleu direkt vaksina nga Rusia dhe Kina, gjithashtu ka kërkuar të shprehë mbështetjen e saj për Astrazeneca. “Debati rreth vaksinës së AstraZeneca duhet të shihet si një luftë biznesi midis prodhuesve të vaksinave dhe jo si studimeve të mirëfillta mbi rreziqet mjekësore”, tha ministri hungarez i Shëndetësisë Gergely Gulyas, më 8 prill.
Një ditë më parë, rregullatorët e BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kishin njoftuar se ekzistonte një lidhje e mundshme midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, megjithëse të dy thanë se përfitimet për shumicën e njerëzve ishin shumë më të mëdha se rreziqet. Britania, programi i vaksinimit i së cilës është shumë më përpara se pjesa tjetër e kontinentit, tani po rekomandon që përsonat nën 30 vjeç të marrin një vaksinë tjetër.
Në Bullgari, shteti më i varfër dhe më pak i vaksinuar në BE, vaksinat më të shtrenjta u përdorën për të vaksinuar grupe me përparësi si mjekët dhe mësuesit. AstraZeneca është më e disponueshmja për publikun e gjerë.
Përpjekjet e vaksinimit u dëmtuan tashmë nga organizimi i dobët dhe skepticizmi i bullgarëve për t’u vaksinuar. “Bullgaria do të vazhdojë vaksinimin me Astrazeneca për të gjitha grup moshat, por do të ofrojë një vaksinë tjetër për njerëzit më të rrezikuar nga tromboza, në përputhje me rekomandimet e EMA”, tha ministri i shëndetësisë.
Në Kroaci, Kryeministri Andrej Plenkoviç tha të enjten se atij dhe udhëheqësve të tjerë u është këshilluar të blejnë dozat e Astrazeneca, duke theksuar se “vaksina është e sigurt dhe njerëzit duhet të vaksinohen”.
Në Estoni, Kryeministri Kaja Kallas, shprehu zhgënjimin në partnerin e saj të koalicionit për shtyrjen e vaksinimit të tij me vaksinën e Astrazeneca. Qeveria dhe parlamenti vendosën muajin e kaluar për të vaksinoheshin me këtë vaksinë. Kryeministri Letonez Krisjanis Karins, ndërkohë, tha këtë javë se është më mirë që qytetarët të vaksinohen me të dozat në dispozicion sesa të infektohen.
Për Stjepan Oreskoviç, profesor i shëndetit publik në Universitetin e Zagrebit, ndarja midis lindjes dhe perëndimit mbi Astrazenecan ka ekspozuar dobësitë e BE. Pandemia gjithashtu ka zbuluar sesi vendet që u bashkuan me bllokun që nga viti 2004 kanë bërë pak për të azhurnuar sistemin e tyre të kujdesit shëndetësor, të kufizuar nga mungesa e fondeve dhe eksodi i punëtorëve në Evropën Perëndimore.
“Ajo zbuloi shpërndarjen tradicionale të pushtetit në BE dhe tregoi se ne ende kemi qendrën dhe periferinë e unionit,” tha Oreskoviç. “Me fjalë të tjera, Perëndimin dhe Lindjen”. (Bloomberg)