Në shtëpinë e Juves janë ditë të nxehta, jo vetëm se në program është sfida e së mërkurës kundër Napoli, një ndeshje shumë përcaktuese, por sot më shumë se kurrë po vihet në pikëpyetje të madhe vazhdimësia me Andrea Pirlo në stol. Ecuria e “Zonjës së Vjetër” këtë sezon lë shumë për të dëshiruar, i pari nën akuzë ka përfunduar “mjeshtri”. Massimiliano Allegri po merr gjithnjë e më shumë kuota ndërsa nga Spanja vjen një lajm shumë domethënës: C.Ronaldo ka dhënë bekimin e tij për një rikthim të mundshëm të Allegri. Sigurisht që Agnelli nuk ka nevojë të marrë miratimin e CR7 për të bërë një lëvizje të tillë por fjala e portugezit ka jo pak peshë.
Edhe në Itali janë të bindur se emri i Allegrit është më shumë se një opsion, është një ide që pritet të zbardhet pas ndeshjes kundër Napolit. Në Torino nuk mund të humbasin për asgjë në botë pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, për këtë arsye nuk kanë ndërmend të presin shumë gjatë, fakt për të cilin edhe vetë Pirlo është i vetëdijshëm.