Kryeministri Edi Rama, duke folur për marrjen peng të Aeroportit të Rinasit, ka treguar mesazhin e një qytetari nga Vlora, i cili i ka shkruajtur kryeministrit. “Një qytetar më shkruante që kishte gruan me tumor dhe kishte takimin e radhës dhe nëse do të humbe takimin i duhej një muaj për të pritur.
E kuptoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta, prej ditësh kanë bërë një plan dhe menduan se do të kapeshim ne gafil. Kanë menduar se deri në 25 prill mos të vaksinohej asnjë vaksinë dhe të shpërthente një revoltë dëshpërimi.
E mendoni se sa afër është kthimi mbrapa, për të marrë peng drejtësinë, peng shtetin“, tha Rama. Kreu i qeverisë u shpreh se pas bllokimit fshihet Ilir Meta dhe Sali Berisha duke shtuar se për vaksinat do të pritet dhe 10 ditë te tjera
“U bllokua aeroporti i vendit, u bllokua ardhja e vaksinave. E gjithë nata ishte pa gjumë për të mbajtur vaksinat aty që të mos shkonte në vend tjetër. Se nuk është si treg që shkon i gjen dhe i thua mi mbaj se do vij prapë nesër. Tani do duhet të presim një javë apo 10 ditë për sasinë e vaksinave. Kjo sepse Ilir dhe Saliu janë gati aty për t’u futur në shtëpinë e gjithsecilit“, tha Rama.